Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka bërë me dije se së bashku me Latif Maliqin, asambleist i LDK- së dhe Faton Milazimin- asambleist i PDK- së, patën kënaqësinë që të presin në takim ambasadorin e Hungarisë, shkëlqesinë e tij, Bela Bozsik.
”Gjatë këtij takimi diskutuam me theks të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe potencialin e investimeve që kompanitë hungareze mund ta bëjnë në komunën tonë. Pastaj diskutuam edhe për arsimin, shëndetësinë dhe kulturën”, ka thënë kryesuesi Kushtrim Kadriu.
I pari i Kuvnedit Komunal të Gjilanit ka bërë me dije se ambasadori Bozski shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në komunën e Gjilanit dhe njëherit njoftoi se shteti mik i Hungarisë do të vazhdojë ta përkrahë Republikën e Kosovës në lëmin e arsimit duke ndarë shumë bursa për studentët tanë.
“Ne i shprehëm falënderimet tona ambasadorit z.Bozski për vizitën dhe për gatishmërinë e tij për bashkëpunim”, ka thënë Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2LONLINE/