Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku ka pritur sot një grup nxënësish të shkollës fillore ‘Dëshmorët e Kombit’ në Livoç të Poshtëm, të cilët i ka njoftuar se si funksionon vendimmarrja komunale si dhe i ka dëgjuar kërkesat e tyre.
Sadiku tha se në këtë foltore flasin këshilltarë e drejtorë komunalë, që japin propozime e ngrehin tema të ndryshme, të cilat pas një diskutimi gjithëpërfshirës miratohen nga Kuvendi me shumicë votash.
‘Vendimet që merren në këtë Kuvend kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, kudo që jetojnë ata, në qytet ose fshatrat tona’, ka thënë kryesuesi Arianit Sadiku.
Ai i ka inkurajuar nxënësit që të mësojnë e të bëhen të vyeshëm, nëse dëshirojnë që ndokush prej tyre nesër të jetë pjesë e vendimmarrjes apo edhe e udhëheqjes komunale.
Kërkesat e nxënësve, sikur edhe e drejtorit të shkollës, Agim Elezi, kishin të bënin me ndërtimin e një shkolle të re në Livoç të Poshtëm, meqë objekti ekzistues është tepër i vjetër dhe nuk i plotëson kushtet për mësim bashkëkohor.
Fëmijët e këtij fshati thanë se kanë nevojë gjithashtu për një sallë sportive, rregullimin e trotuarit si dhe pastrimin e lumit të fshatit.
Kryesuesi Arianit Sadiku u premtoi nxënësve se të gjitha këto kërkesa do t`i përcjellë te ekzekutivi i Komunës, ku fillimisht duhet të bëjnë një vlerësim i gjendjes dhe mundësive dhe pastaj t`i nisin procedurat për zgjidhjen e problemeve, sipas prioriteteve.
Sadiku tha se kërkesa ka shumë dhe jo të gjitha mund të zgjidhen shpejt. /2LONLINE/