Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës, me praninë e kryetarëve të grupeve parlamentare.
Pas diskutimeve lidhur me agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë, Kryesia vendosi që deputetët të mblidhen në seancë plenare të enjten, më 10 tetor, në orën 11:00, për të vijuar me shqyrtimin e pikave të mbetura nga seancat e kaluara.
Kështu, fillimisht Kuvendi pritet të votojë për emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për të vijuar gjithashtu me votimin e tri projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore, si dhe Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
Në lexim të dytë, ndërkaq, do të votohet për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor dhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, si dhe do të shqyrtohen, po ashtu në lexim të dytë, Projektligji për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës, Projektligji për rrugët, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.
Seanca do të vijojë me votimin në parim të Projektligjit për gjendjen civile dhe atij për provimin e maturës shtetërore, duke u pasuar me shqyrtimin gjithashtu në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete dhe Projektligjit për menaxhimin e resurseve ujore.
Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028 do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës, duke i paraprirë kështu votimit të Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH.
Sipas agjendës së punës deputetët do të shqyrtojnë edhe një projekt-deklaratë dhe tri projekt-rezoluta: Projekt-Deklaratën për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Projekt-rezolutën për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës, Projekt-Rezolutën për tërheqjen e tri projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend, si dhe Projekt-Rezolutën për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë.
Raporti me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116 do të shqyrtohet në vijim nga seanca, sikurse edhe Propozim-rezoluta për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022.
Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022, raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare, si dhe themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb, do të jenë pikat e fundit të rendit të ditës të këtij vazhdimi të seancës plenare.
Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. /2LONLINE/