Inovacioni dhe ndërmarrësia janë qenësore për zhvillimin ekonomik të vendit. Kurse zhvillimi i ndërmarrësisë dhe inovacionit është zotim dhe qëllim programor i Qeverisë. ICK, si qendër e inovacionit luan rol të rëndësishëm në gjithë këtë mes. Prandaj, për t’u njohur më afër me punën, planet dhe kontributin e saj, sot gjatë ditës kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një vizitë aty.
Gjatë bisedës me drejtorin ekzekutiv të ICK-së, Uranik Begu dhe me startup-at e përfaqësuesit e bizneseve të avancuara nga komuniteti i ICK-së, kryeministri Kurti foli për prioritetet dhe objektivat e qeverisë në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit. Ai tha se digjitalizimi është një nga objektivat e programit qeverisës dhe parashihet të jetë pjesë e të gjitha fushave të qeverisjes. Nëpërmjet digjitalizimit dhe e-qeverisjes synojmë që të rrisim transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e qeverisjes dhe në të njëjtën kohë përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Për të plotësuar këtë objektiv, nevojitet qasje strategjike, e koordinuar dhe mirëplanifikuar. Kjo kërkon angazhim të përbashkët të sektorit publik dhe privat, dhe ne jemi të hapur për një bashkëpunim me sektorin privat, u shpreh kryeministri Kurti. /2LONLINE.com/