Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitoi të mërkurën, shkollën “Hello Academy of Education” në Gjilan, ku u mirëprit nga dy drejtorët e saj, Florian dhe Hysnije Kurteshi.
Fillimisht, Kryeministri vizitoi nxënësit e një klase të ciklit të ulët, të cilët para tij shfaqën edhe aftësitë e tyre në lëndën e matematikës. Më pastaj, u njoftua nga drejtoresha e kësaj shkolle për punën e saj, historikun e institucionit që drejton dhe për angazhimin e fëmijëve.
Shkolla “Hello Academy of Education” është përfituese e katër masave të Qeverisë, masës 1.3 për mbështetjen e punësimit të grave, Pako për Përballje me Inflacionin për subvencionin e rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat, të skemës “Qeveria për Familje” dhe tash së fundmi të skemës së punësimit të garantuar për të rinj përmes platformës “Superpuna”.
Nga masa 1.3 janë punësuar 18 gra. Përmes skemës “Qeveria për Familje” janë punësuar 5 persona. Janë angazhuar 16 punëtorë të rinj nëpërmjet platformës “Superpuna”. Ndërkaq nga rritja e pagës në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin, kanë përfituar gjithsej 90 persona.
Kryeministri Kurti u shpreh i kënaqur kur takon përfituesit dhe sheh dobinë e drejtpërdrejtë të masave dhe pakove mbështetëse të qeverisë për qytetarë.
Duke i falënderuar për ftesën për këtë vizitë, kryeministri tha se ajo se çfarë bëni në këtë institucion arsimor është një punë fisnike jo vetëm për të tashmen por edhe për të ardhmen, sepse mësimi në fëmijërinë e hershme është vendimtar për mësimin dhe edukimin e mëvonshëm sikurse edhe për profesionet që këta fëmijë nesër do t’i kenë dhe për punët e vendet e punës e kontributin në shoqëri të cilin do ta bëjnë.
Ai shoti se gjuha e matematika në njërën anë, vizatimi e muzika në anën tjetër edhe natyra edhe shoqëria që janë fusha të mëdha, të cilët i mësojnë fëmijët dhe bashkërisht i studiojnë në këtë shkollë, do të jenë vendimtare për atë se çfarë do të jetë edhe ekonomia jonë, edhe shoqëria jonë, edhe kultura jonë, por dhe arsimi ynë.
Shkolla “Hello Academy of Education” funksionon nga viti 2010. Fillimisht ka nisur edukimin me grupmoshën 6 muaj deri në 5 vjeç, ndërkaq nga viti 2013 ka filluar me grupin para fillor, pra mosha 5 – 6 vjeç, me program edukativ – arsimor, të mbështetur në planprogramin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Në vitin 2017, kopshti i fëmijëve “Hello“ themeloi shkollën 9-vjeçare “Hello Academy of Education”, të parën në komunën e Gjilanit. Shkolla tani ka një sipërfaqe prej rreth 4200 m2, 40 klasë mësimi, kabinet të informatikës, kabinet të kimisë, biologjisë dhe fizikës dhe gjithashtu sallën e edukatës fizike, për 639 nxënës dhe fëmijë, me 90 mësimdhënës prej të cilave 90% gra, dhe 22 persona si staf teknik. /2LONLINE/