Gjatë qëndrimit në Gjilan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitoi të mërkurën fabrikën “Albimi LTD” në Gjilan, e cila merret me prodhimin dhe shitjen e biçikletave në tregun vendor dhe ndërkombëtar me brendin e mirënjohur “PILOT BIKE”.
Atje ai u prit nga pronari i kompanisë Ibrahim Krivaqa, i cili prezantoi ambientin e funksionimit të kësaj kompanie dhe mënyrën se si bëhet prodhimi i biçikletave.
Kjo fabrikë ka rreth 70 punëtorë, paga mesatare e të cilëve është 478 euro, kurse kapaciteti saj është 27 mijë biçikleta në vit. Produktet e tyre eksportohen në shumë vende të Bashkimit Evropian si në Spanjë – rreth 23% të eksportit, Hungari, Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Slloveni dhe Kroaci.
“Albimi LTD” deri më tani ka përfituar nga masat 2.4 – mbështetje e Eksportit dhe 2.1 – Subvencionimin e kredive, kurse së fundmi ka punësuar 12 të rinj përmes platformës Superpuna.
Kryeministri Kurti e falënderoi pronarin dhe punëtorët për mikpritje dhe bisedën që patën në lidhje me mundësitë e reja të mbështetjes, sidomos në largimin e barrierave të ndryshme. Ministri Murati tha se kjo fabrikë është histori suksesi që ka treguar në vazhdimësi rritje të prodhimit dhe rritje të eksportit. Ai tha se kjo dëshmon që mund të punohet dhe se ka cilësi për aq kohë sa ka vullnet nga pronarët dhe punëtorët dhe mbështetje nga Qeveria.
Në lidhje me sfidat me barriera, ministri Murati tha se ka kërkuar nga Doganat që të ketë anketim nga të gjithë prodhuesit vendorë për të parë më mirë dhe më në detaje se cilat janë pengesat me të cilat ballafaqohen. Ai shtoi se shumë shpejt do të kemi edhe një pako tjetër të masave të cilat i eliminojnë barrierat por edhe ofrojnë mbështetje shtesë për prodhuesit tanë në mënyrë që të rritet punësimi, eksporti, dhe mirëqenia e qytetarëve.
Z. Krivaqa shprehu falënderimin e tij për vizitën dhe mbështetjen e qeverisë përmes masave dhe pakove të ndryshme, që e kanë ndihmuar në automatizimin e procesit dhe në rritjen e eksportit. /2LONLINE/