Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u mirëprit nga myftiu Naim Tërnava.
Në shënim të kësaj dite, kryeministri Kurti uroi të gjithë besimtarët dhe theksoi se muaji i Ramazanit, është muaj i sakrificës edhe i solidaritetit, teksa nënvizoi se solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi.
Këtë pranverë, që këtë vit përkon edhe me festën e Fitër Bajramit, kryeministri veçoi se çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorë të masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin e Kosovës, si dhe betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ditë feste të bekuar dhe të rëndësishme për të gjithë besimtarët, kryeministri Kurti, përkujtoi edhe 37 imamët të cilët kanë rënë dëshmorë në radhët e UÇK-së, në luftën e fundit në Kosovë.
Nga aty, ai bëri thirrje që solidariteti të na shoqërojë gjithmonë, jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit. /2LONLINE/