Në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
Fillimisht, Kryeministri Kurti e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për kontributin për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
U bisedua për situatën aktuale të sigurisë në vend, si dhe sulmin terrorist të Serbisë të datës 24 shtator ndaj Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti tha se provat e shumta të mbledhura konfirmojnë se sulmi u sponsorizua nga shteti i Serbisë. Ishte një tentativë për të cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës, pjesë e një plani më të madh që synim kishte aneksimin e veriut të Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi se është me rëndësi që partnerët tanë dhe komuniteti ndërkombëtar të dënojnë terrorizmin dhe sulmin e Serbisë ndaj një shteti sovran dhe të ndalojnë destabilizimin e rajonit. /2LONLINE/