Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, znj. Helga Maria Schmid.
Kryeministri Kurti e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e Qeverisë në këta 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja.
Sekretarja Schmid e përgëzoi kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha.
Ajo e vlerësoi veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.
Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë.
Zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, theksoi përkushtimin e Kosovës në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia.
Sekretarja Schmid shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.
Kryeministri Kurti falënderoi sekretaren Schmid për vizitën dhe kërkoi që të ngritet përfaqësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në OSBE.
Në takim ishin edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zvëndësambasadori Kilian Wahl, zyrtarja e Qendrës për Parandalimin e Konfliktit, znj. Mariana Roibu, dhe zyrtarja ekzekutive e sekretares së përgjithshme, znj.Juliane Ziegler. /2LONLINE.com/