Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, në margjina të Forumit GLOBESEC 2022 në Bratislavë, ka takuar ministren e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, znj.Tytti Tuppurainen.
Kryeministri Kurti e ka falënderuar për përkrahjen dhe kontributin që ka dhënë Finlanda për Kosovën që nga viti 1999 e këtej, sidomos në arsim, shëndetësi, të drejta të njeriut etj.
Duke e uruar për aplikimin e Finlandës në NATO, kryeministri i ka shprehur ministres Tuppurainen mirënjohjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen që po ia jep Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Në takim u diskutua për sigurinë dhe stabilitetin rajonal pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë. Kryeministri potencoi rrezikun e vendosjes nga Serbia të 48 bazave ushtarake përgjatë zonës kufitare me Kosovën dhe lidhjet e afërta të fqinjit tonë verior me Federatën Ruse.
Finlanda, si fqinje e parë e Rusisë me të cilën e ndan kufirin më të gjatë, është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Federata Ruse, në veçanti pas aplikimit për anëtarësim në NATO. Kosova ndan pjesën më të madhe të kufirit me Serbinë e cila është destabilizuese, pra jemi në një kontekst të ngjashëm, tha kryeministri Kurti dhe e vlerësoi cinizëm neutralitetin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë.
Edhe ministrja Tuppurainen vlerësoi se nuk mund të qëndrosh neutral ndaj një lufte sikurse kjo që po ndodhë në Ukrainë.
Në fund të takimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Tuppurainen u pajtuan që të vazhdojnë angazhimin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit socio-ekonomik dhe të sigurisë mes dy vendeve. /2LONLINE/