Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit si Qeveri e Republikës së Kosovës me komunat e Kosovës anembanë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës. Ky është takimi i tretë radhazi i këtij formati brenda pak muajve.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se në Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak.
Kjo, siç tha kryeministri, duhet të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies së tyre, edukimit, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik. Njëkohësisht kryeministri foli edhe për ndihmën dhënë qytetarëve dhe bizneseve, mbështetjen dhe nxitjen e prodhimit vendor në sektorin e bujqësisë, për arritjet në luftën kundër korrupsionit, aplikimin zyrtar për anëtarësim në Bashkim Evropian e shumë arritje të tjera.
Duke theksuar veprimet e ndërmarra nga Qeveria për qytetarët nëpër komunat e Kosovës, kryeministri theksoi që bashkërisht, Qeveria dhe komunat, do të duhej që përmes ekzekutimit të mirëfilltë të buxhetit 2023, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve e ta zhvillojmë ekonominë e komunës e të vendit. ‘’Qasja jonë si Qeveri, është që të jemi afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet intensifikim i bashkëpunimit mes institucioneve tona’’, deklaroi ai.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, tha se është i hapur e i gatshëm të jem afër komunave, me gjithë kabinetin qeveritar, për t’u angazhuar bashkërisht për progresin demokratik, ekonomik e social të Republikës. /2LONLINE/