Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 42-vjetorin e demonstratave të 1 dhe 2 prillit priti sot në takim kryetarin e shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës, Shefki Sadiku, së bashku me Binak Ulaj, ish-kryetar i Shoqatës, Xhemajl Pllana, sekretar i Shoqatës, Hydajet Hyseni, anëtar i kryesisë, njëherësh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe Meriman Braha, ish-sekretar.
Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit e Shoqatës kthyen në kujtesë organizimin e demonstratave të vitin 1981, ballafaqimin me regjimin Jugosllav dhe kthesën historike që populli ynë kishte bërë në atë vit.
U diskutua për sfidat dhe kërkesat e Shoqatës, për format e mundshme të mbështetjes për funksionalizimin dhe fuqizimin e saj si dhe për kujdesin dhe përgjegjësinë institucionale për ruajtjen e memories kolektive përmes themelimit të institutit për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë.
Demonstratat e 1 dhe 2 prillit janë demonstratat më masive të vitit 1981. Atyre u parapriu protesta në mensë e studentëve me 4 mars dhe pastaj demonstratat me 11 dhe 26 mars 1981. Te blini i famshëm, para Ministrisë së Kulturës sot, ishte duke folur në megafon Hydajet Hyseni, i cili po i afrohej katër viteve ilegalitet atëbotë, e bashkë me të aty edhe Kadri Batusha, Ahmet Bllaca dhe Remzije Limani.
Ish të burgosurit politikë evokuan edhe kujtimin për Jakup Krasniqin i cili më 1 prill 1981 ishte po ashtu në mesin organizatorëve dhe pjesëmarrësve të demonstratës, kurse tash e 29 muaj po mbahet në paraburgim në burgun e Hagës.
Nga demonstratat e vitit 1981, u vranë 9 demonstrues, 15 persona mbetën të plagosur, qindra u arrestuan e burgosën, dhe u ndëshkuan e dënuan me shumë vite burgim të rëndë politikë. Ato nisën si protesta spontane të studentëve për kushte të dinjitetshme dhe trajtim të barabartë, shpejt morën mbështetjen edhe të punëtorëve dhe mbarë popullit, që së bashku kërkonin liri, drejtësi, të drejta, Republikë e Vetëvendosje. /2LONLINE/