Bashkëpunimi i afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), përbrenda mandateve që kanë, ishin në qendër të takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajári.
U ritheksua rëndësia e KFOR-it në sigurimin e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.
Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë e përcjelljes së mesazheve të qarta për veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Në takimin e përbashkët me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kryeministri shprehu gatishmërinë e Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Komandanti i KFOR-it i falënderoi Kryeministrin Kurti dhe Ministrin Sveçla për bashkëpunimin e mirë mes Qeverisë, Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa i përgëzoi policët për sjellën profesionale lidhur me ngjarjet në veri të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti dhe Ministri Sveçla potencuan profesionalizmin dhe guximin e organeve tona të rendit dhe të sigurisë, përkatësisht Policinë e Kosovës, në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë sonë. /2LONLINE/