Në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi dhe përkujtoi me homazhe të vrarët në mënyrë mizore në masakrën e Dubravës, nga forcat armike serbe.
Pranverën e majit, nga 19 e deri më 24 maj të vitit 1999, u vranë e u masakruan 116 të burgosur dhe një u zhduk, nga 980 sa ishin grumbulluar në burgun e Dubravës. Prej tyre 771 i mbijetuan kësaj masakre, ndërsa 185 mbetën të plagosur nga forcat serbe.
Secili prej të burgosurve shqiptarë që ishin në burgun e Dubravës në ato ditë të majit të vitit 1999, është dëshmitar i historisë dhe dëshmitar i së vërtetës së Kosovës, tha kryeministri Kurti, teksa theksoi se emrat e skalitur në memorialin e 116 të vrarëve në këtë masakër, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës.
Kryeministri theksoi se i zhdukuri në këtë masakër, që është politikani dhe ideologu politik i çështjes sonë kombëtare Profesor Ukshin Hoti, është e vërteta e shkruar dhe e jetuar e fatit politik të shqiptarëve nën Serbi. Është e vërteta e mijëra të zhdukurve me dhunë nga Serbia, prej të cilëve 1597 janë ende të pagjetur.
Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të qëndresës së popullit tonë, tha Kryeministri.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe tri gjeneratat që përfshijnë të burgosurit politikë përgjatë tri dekadave, gjatë viteve ’50-të, ’60-të, e të viteve të ’70-të; gjenerata e dytë, e quajtur edhe Brezi ’81, që përfshinë të burgosurit politikë pas demonstratave studentore të vitit 1981, si dhe gjenerata e tretë e viteve ’90-të, duke përfshirë edhe të burgosurit gjatë luftës. “Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”, shtoi kryeministri.
Të pranishëm në këto homazhe, organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin organizativ të ish të burgosurve politikë të Burgut të Dubravës, ishin Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, Enver Dugolli, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Nait Hasani, ish i burgosur politik, Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, deputetë të Kuvendit, anëtarë të kabinetit qeveritar, familjarë të të vrarëve, dëshmorëve dhe të mbijetuarve të masakrës së Dubravës. /2LONLINE/