Pas takimit me ish- Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish- Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith, në shënim të 10-vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kurti, po ashtu organizoi një pritje për z. Feith, në ndërtesën e Qeverisë. Përpos z. Faith, në këtë organizim të Zyrës së Kryeministrit të ftuar ishin pjesëtarë të korit diplomatik në Kosovë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, e cila filloi me ngushëllimet drejtuar ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, kryeministri Kurti tha se sot po shënojmë 10-vjetorin e një ngjarje të rëndësishme për vendin tonë që paraqet fundit e një epoke dhe fillimin e një tjetër – momentin kur Kosova bëhet ajo që është sot, një shtet i lirë, sovran dhe plotësisht i pavarur.
“Festimi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur nuk do të ishte i plotë pa falënderuar personin që udhëhoqi atë proces, z. Pieter Feith”, tha kryeministri Kurti duke rikujtuar se atë botë ishte kritik i mbikëqyrjes ndërkombëtare si kufizim i pavarësisë dhe sovranitetit të vendit.
“10 vjet pas, Kosova është larg vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh kryeministri Kurti, dhe përveç sukseseve në çështje të brendshme, shtoi ai, ajo ka dëshmuar veten si partnere e besueshme dhe aleate besnike në arenën ndërkombëtare duke marrë pjesë në Defender Europe 21 përkrah 26 vende, duke u bërë bashkë me ShBA-të dhe BE-në në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, dhe duke u bërë strehë e 1,800 refugjatëve nga Afganistani dhe 9 gazetarëve nga Ukraina që tashmë janë bërë banorë të Prishtinës.
Kryeministri Kurti veçoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të korrikut të vitit 2010, që deklarimi i pavarësisë nuk kishte shkelur ligjet ndërkombëtare dhe vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, të shtatorit të vitit 2012, për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, si dy momentet që kanë përmbyllur debatin ligjor, politik dhe demokratik mbi pavarësinë meritore dhe të drejtë të Kosovës. /2LONLINE/