Një brez i ri shqiptar, po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e përurimit të Abetares së Përbashkët Unike.
Në ceremoninë e organizuar në Gjakovë, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Evis Kushi dhe Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, Kryeministri Kurti kujtoi angazhimin ndër breza për ruajtën e gjuhës shqipe.
Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët, tha ai.
Jam i lumtur andaj sot që kemi në duar këtë abetare, për të cilën u zotuam me marrëveshjen nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar, shtoi kryeministri Kurti.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin, mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë, tha ai.
Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë ka përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë, që do të shpërndahet gjatë muajit shtator. /2LONLINE/