Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke kujtuar sulmet në Prekaz dhe pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës, kryeministri Kurti tha se para 25-vjetëve, tre breza të Jasharajve luftuan tri ditë rresht, për çdo minutë në betejë këtu në Prekaz me mijëra forca policore të Serbisë, që e kishin rrethuar kullën e shtëpinë e Jasharajve në mënyrë të shumëfishtë, me ç‘rast, të udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari, ranë heroikisht gjithsej 59 veta.
Kryeministri Kurti e quajti Prekazin kryeqytet të kryengritjes dhe tha se kthehen e rikthehen aty për ta kujtuar e përkujtuar Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i dha hovin vendimtar UÇK-së dhe më pas mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë.
“Sot, ndërtojmë institucione demokratike, bëjmë zhvillim ekonomik, pa harruar asnjëherë se kujt ia kemi borxh këtë liri e këtë mundësi, që të ecim përpara”, u shpreh kryeministri Kurti.
Pas homazheve te varrezat, kryeministri Kurti së bashku me presidenten Osmani dhe kryekuvendarin Konjufca, anëtarë të kabinetit qeverisës dhe përfaqësues tjerë të kuvendit, vizituan odën e Jasharajave, ku u pritën nga kryefamiljari Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit. Aty, me këtë rast, presidentja e vendit i ndau Rifat Jasharit medaljen “Urdhri i Lirisë”. /2LONLINE/