Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e radhës së Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.
Në këtë takim u theksua rëndësia e fuqizimit të zbatimit të masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Në këtë drejtim Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe komunave, për zbatimin rigoroz të masave në fuqi.
Paralelisht me fuqizimin e zbatimit të masave, Kryeministri i ka kërkuar Ministrit të Shëndetësisë, Prof. Dr. Rifat Latifi që të intensifikohet fushata e vetëdijësimit për variantin e ri Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi, për të inkurajuar qytetarët të vaksinohen me dy dozat, ose të marrin dozën përforcuese të vaksinës.