“Instituti duhet ta ketë përkrahjen e të gjithëve nëse dëshirojmë që të ketë sukses. Ne nuk dëshirojmë që të hedhim poshtë gjithë punën e mirë që është bërë deri tash prej nismave të shumta. Dëshirojmë që duke marrë parasysh punën e deritanishme, të shkojmë një hap, shumë hapa më tutje”, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës.
Në takim ishin të pranishëm ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, këshilltarja për çështje juridike e kryeministrit Kurti, Furtuna Sheremeti, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, zyrtarë shtetërorë dhe ekspertë për drejtësi transicionale, juristë, përfaqësues të shoqatave dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dokumentues të krimeve të luftës, ekspertë të trashëgimisë kulturore etj.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se do të përgatitet koncept dokumenti mbi mekanizmin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Konsiderojmë, që është e rëndësishme, që të adresohen edhe krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit, e që janë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi, pra përveç se krimet e luftës”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se askush nuk duhet të pretendojë që lehtësisht do të arrijmë të zgjidhim krejt problemet që janë shkaktuar që 22 vite.
Kryeministri theksoi rëndësinë e madhe që ka nisma për themelimin e institutit. Tha se ky është momenti i fundit për ne.
“Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë kësaj radhe. Nuk e kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë në eksperimentet tona. Për këtë arsye është thelbësore që të bashkojmë forcat dhe ta përkrahim njëri-tjetrin. Të gjithë. Shoqëria civile, organizatat shtetërore, hulumtuesit e pavarur, ekspertët e jashtëm, qytetarë, të gjithë”, tha kryeministri Kurti dhe shtoi: “…paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhë asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë të dyja”. /2LONLINE.com/