Sonte në Gjilan është mbajtur Akademia e Flakës së Janarit, që për të 31-tën herë me radhë, ka nisur rrugëtimin e saj, si manifestimi më unik në trojet shqiptare, i cili organizohet në nderim të heronjve dhe dëshmorëve tanë, të rënë nëpër janarët e acartë e të zjarrtë të historisë, nga epoka e Skënderbeut e deri te lufta e UÇK-së, e cila e përmbylli një përpjekje shekullore të shqiptarëve, për liri, pavarësi e mëvetësi në tokat e veta.
Këtë vit, Akademia e Flakës, si një nga shtyllat kryesore të këtij manifestimi kombëtar, e cila mbahet në nderim të heronjve të janarëve tanë të përflakur e të përgjakur nëpër shekuj, sivjet i është kushtuar Jusuf Gërvalles, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, në 40-vjetorin e rënies, sikurse edhe Rexhep Malës e Nuhi Berishës si dhe heronjve të tjerë.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në cilësinë e nikoqirit, tha se me “Flakën e Janarit” nderohen ata që me sakrificën dhe qëndresën e tyre ndriçuan rrugën tonë.
Duke folur për veprimtarinë kombëtare të heronjve, ai ka shtuar se obligim yni është që ta qojmë në vend amanetin e tyre dhe me punë e ndershmëri t’iu shërbejmë qytetarëve.
Në këtë ngjarje të madhe të kulturës ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se nga janarët e acartë të historisë ne marrim energji e dritë nga zjarri i ndezur i jetës dhe veprës së këtyre heronjve.
“17 janari shënon ndër ditët më të lavdishme së historisë më të re të Kosovës. Kjo datë ngjalli shpirtin patriotik të një populli të tërë, ngase ngjalli shpirtin luftarak dhe ngriti në këmbë popullin tonë”, ka thënë kryeministri Kurti, duke shtuar se amaneti i të gjitha brezave u realizua vetëm me bashkim dhe me pushkë.
Kurti tha se përmes heronjve bota u njoh me shtypjen që u bëhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe rrëzoi propagandat e rrejshme të atij shteti.
“Dora dhe mendja e këtyre atdhetarëve ishte e mbushur me fuqi për bashkim. Ata punuan për liri, punuan bashkërisht. Ishin idealistë të paepur e realistë objektiv, të bindur se nuk mund të luftojmë të ndarë”, tha kryeministri Kurti.
Vrasjet, burgosjet dhe dhuna e viteve të tetëdhjeta kanë zënë vend në fjalimin e Albin Kurtit, që tha se sot duhet ta kthejmë besimin e njerëzve për një jetë të lumtur në Kosovë, andaj me forcimin e shtetit realizohet ëndrra dhe ideali i heronjve.
“Heronjtë do të na porosisnin të mbrojmë territorin e Kosovës, ata do të ishin në ballë të luftës për të mos lejuar copëtimin dhe shfrytëzimin e Kosovës. Ne nipërit e tyre duhet ta ngremë Kosovën si shtëpi të dashur, të drejtë, produktive, pa korrupsion, krim e demokratike”, ka thënë Kurti, duke shtuar se heronjtë na mësuan se si duhet të atdheu, andaj ne duhet të qojmë në vend amanetin e tyre.
Me fjalë rasti mbi veprimtarinë e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës janë paraqitur edhe veprimtari Hydajet Hyesin, i cili ka shpalosur edhe kujtime nga veprimtaria atdhetare, organizative e veprimtarisë në mërgim dhe përpjekjeve për bashkim të Lëvizjes shqiptare në mërgim.
Hyseni ka kërkuar të ndriçohen shumë fakte në lidhje me vrasjen e heronjve, po edhe atë të atyre që tentonin t’i përçanin e ndanin ata. Për më tepër, ai ka evokuar kujtime nga veprimtaria e Jusufit në Gjermani dhe e Kadriut në Zvicër, nevojën që kishin ata për bashkim e për njëri – tjetrin, për botimin e teksteve nëpër revista. Me veprimtarinë e tyre, e cila tundi mërgatën, ata ishin bërë halë në sy të UDB-së, që i vrau në kulmin e krijimtarisë.
Me një kumtesë në këtë akademi është paraqitur edhe drejtori i Institutit Albanologjik në Prishtinë, prof. dr. Hysen Matoshi, i cili ka folur për rolin e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës në internacionalizimin e çështjes shqiptare në botë në kohën kur për shqiptarët dihej pak dhe ata ishin të ndarë në disa shtete.
“Ata ishin të vetëdijshëm se pushtuesi ishte i fortë, andaj e kishin të qartë se duhej kërkuar aleatë. Punuan në krijimin e aleatëve në Zvicër e Gjermani, botuan revista, organizuan demonstrata dhe e ndërkombëtarizuan çështjen shqiptare”, ka thënë profesori Matoshi, duke cekur se lufta çlirimtare kërkonte mjete financiare, punë, angazhim për të arritur drejt lirisë, ngritjes së shtetësisë së Kosovës e të Luftës Çlirimtare.
“Ndërkombëtarizmi i çështjes shqiptare që nisi me aktivitetet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës mori përmasa të jashtëzakonshme dhe bota u njoh me kërkesat një populli të shtypur e bota po e shihte me dyshim Jugosllavinë e atëhershme”, ka thënë Matoshi.
Në këtë akademi, artisti Ramadan Kurti ka deklamuar poezinë “Fletë testamenti nga Jusuf Gërvalla”, kurse më pas Kori i Qytetit ka shfaqur një program me pikat muzikore “Trimave te vigut” (kompozitor Rauf Dhomi) dhe “Tokë atdheu” – premierë (kompozitor Qazim Kryeziu) , “Këngë për Zija Shemsiun”, “Tash po fryn veriu”, “Nëntori” të kompozuara nga Qazim Kryeziu e nën dirisgimin e Adhurim Rasimit
“Flaka…” ka vazhduar me ekspozitën e artit pamor dhe shpalljen e më e fitueseve në artin pamor. /2LONLINE/