Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë të përbashkët me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, lidhur me krizën energjetike, që po prek të gjithë regjionin dhe vendet evropiane përgjatë muajve të fundit.
Evropa po përballet me çmime rekorde të energjisë, të shtyera në masë të madhe globalisht nga çmimet shumë të larta të furnizimit me gaz. Ne kemi pasur fatin që kemi mundur të mbulojmë një sasi të konsiderueshme të kërkesës së brendshme nëpërmjet Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Një pjesë tjetër, mbulohet nëpërmjet burimeve të ripërtërishme, tha kryeministri në hapje të konferencës.
Megjithëkëtë, në periudhën e dimrit, me ftohjen e motit rritet kërkesa për energji elektrike, kryesisht shkaku i ngrohjes. Si rezultat, kapacitetet gjeneruese nga termocentralet tona janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën në kohët e pikut, dhe Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur për të gjithë, gjatë gjithë kohës, tha ai.
Kryeministri theksoi se energjia e tregtuar për të mbuluar kërkesën në Kosovë, tani blihet me çmime aq të larta (deri në 7 herë me çmimin e shitjes më shtrenjtë), sa që ka rrezikuar aftësinë financiare të furnizuesit publik dhe të gjitha ndërmarrjeve të zinxhirit energjetik, për ta garantuar sigurinë e furnizimit.
Duke thënë se çmime të këtilla të energjisë mund të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar, kryeministri tha se është e rëndësishme që tani të mundohemi të kursejmë energjinë elektrike maksimalisht.
Qeveria të cilën udhëheq do të trajtojë të gjitha problemet në fushën e energjisë brenda këtij mandati. Strategjia që pres ta prezantoj para jush brenda gjysmëvitit të parë të 2022 është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Unë zotohem për siguri të furnizimit, me tranzicion të qëndrueshëm me çmime të përballueshme, tha ai.
Megjithatë, tani na duhet që së bashku të tejkalojmë dimrin e krizës së madhe të energjisë, tha kryeministri.
Duke theksuar se sot jemi në një situatë ku po vuajmë pasojat e vendimeve të këqija por edhe mungesës së vizionit për dy dekada, kryeministri theksoi për dy dekada nuk u bënë riparime të qëndrueshme në termocentralet tona, të cilat do të siguronin prodhim të qëndrueshëm mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese me sa më pak ndotje, dhe mungesë të vizionit sepse një dekadë më parë ishte më lehtë të shtoheshin kapacitetet e energjisë.
Shtetin e kemi gjetur për toke në të gjitha drejtimet, por së bashku do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë, por ata që na sollën në këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet e le të skuqen nga gjendja që na e lanë shtetin, tha kryeministri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, falënderoi qytetarët për mirëkuptimin e treguar në kursimin e energjisë elektrike.
Ajo bëri të ditur se më 2 nëntor 2021 ka themeluar Task Forcën teknike për Masat në rast të emergjencave energjetike. Task Forca ka analizuar skenarët e prodhimit vendor të energjisë elektrike, nevojat per import, ndikimin financiar tek palët e sektorit dhe tek të gjithë konsumatorët, dhe ka dorëzuar raport me konkluzionet dhe rekomandimet. Raporti është trajtuar në Qeveri dhe ka shqyrtuar të gjitha mundësitë për të minimizuar efektin në sektorin e energjisë dhe në financa publike.
Ministrja Rizvanolli shpjegoi se situata është përkeqësuar dukshëm me rastin e ndërprerjes se të dy blloqeve të Kosovës B, që ka qenë jashtë çdo parashikimi. Si rrjedhojë, është ndalur edhe puna e ngrohtores së qytetit të Prishtinës.
Në konferencë u bë e ditur se në mbledhjen me korrespodencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.) dhe KfW për Projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. /2LONLINE/