Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila ka ardhur në Kosovë me rastin e edicionit të tretë me radhë të Festivalit Sunny Hill.
Kryeministri Kurti e përgëzoi Duan për suksesin e saj fantastik dhe e vlerësoi të veçantë zërin, muzikën dhe performancat e saj në skenat botërore.
Ai e falënderoi për përfaqësimin dinjitoz dhe promovimin e vlerave artistike të Kosovës kudo në botë. Kontributi që keni dhënë e po jepni për Kosovën është i pamatshëm, tha kryeministri Kurti.
Këngëtarja Dua Lipa e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe ritheksoi angazhimin dhe përkushtimin e saj për promovimin e artistëve dhe talentëve tanë, si dhe për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në takim ishte i pranishëm edhe babai i Duas, Dukagjin Lipa, me të cilin biseduan rreth mbarëvajtjes së Festivalit Sunny Hill. Z. Lipa tha se ky edicion i festivalit ka zgjuar interesim jashtëzakonisht të madh të të rinjve nga e gjithë bota. Ai tha se gjatë tri netëve të festivalit kanë qenë të pranishëm të rinj nga 60 shtete. /2LONLINE/