Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës në të cilën është miratuar rezoluta që dënon agresionin rus në Ukrainë.
Sulmi ndaj Ukrainës është sulm mbi botën e civilizuar, është sulm mbi lirinë dhe demokracinë, mbi vlerat tona më të çmuara për të cilat gjenerata të tëra janë flijuar, pra është sulm mbi të gjithë ne, tha kryeministri Kurti.
Ne jemi popull paqedashës e liridashës, prandaj edhe e gjejmë vetën edhe në heroizmin e tyre për të luftuar për lirinë dhe vendin e tyre, sepse ne njohim mirë çmimin e lartë të lirisë, shtoi ai.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se ne tashmë kemi dënuar ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës; kemi miratuar sanksionet duke ju bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian; kemi marrë vendimin që të pranojmë 20 gazetarë nga Ukraina në mënyrë që edhe t’u ofrojmë strehim e siguri por edhe kushte për punë, dhe sot së bashku miratohet kjo rezolutë në institucionin më të lartë të Republikës sonë për të dënuar agresionin rus.
Ne kemi dënuar dhe dënojmë fuqishëm agresionin rus, tha kryeministri Kurti duke shtuar se ne e dënojmë edhe mos-dënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia dhe mos-vënien e sanksioneve. Ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian kur i gjithë Bashkimi Evropian e dënon dhe e sanksionon fuqishëm, theksoi ai.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për angazhimin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të shprehur me caktimin e përfaqësuesve e emisarëve të tyre special.
Ai u bëri thirrje 5 shteteve mos-njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin urgjentisht pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshme për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë.
Pavarësia e Kosovës është një rast që merr parasysh padrejtësinë shekullore, okupimin, luftën dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë; është në përputhje me të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje, dhe – siç është vulosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në dritën e këtij agresioni, duhet kuptuar se mos njohja e pavarësisë së Kosovës përbën cenim për sigurinë e kontinentit evropian, theksoi kryeministri Kurti.
Ai bëri të ditur se do ta përshpejtojmë procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njëjtë siç do të përshpejtojmë aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Kryeministri tha se njëkohësisht do të kërkojmë që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s duke filluar së pari me Partneritetin për Paqe. /2LONLINE/