Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Zëvendës-shefen e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Pratipati, bënë sot homazhe dhe vendosën lule të freskëta pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë, për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e sulmit terrorist të 11 Shtatorit, që ndodhën në vitin 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përkujtim të viktimave të atij sulmi mizor e terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti u shpreh se sot kujtimi ynë shkon për viktimat, si dhe solidariteti ynë me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.
Kryeministri më tej kujtoi se në mesin e atyre që u vranë para 23 vjetësh ishin edhe tre bashkatdhetarë shqiptarë të familjeve Camaj, Dedvukaj dhe Gjonbalaj.
Ai shtoi se terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan, secilit qytetar liridashës, i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat e njeriut, pluralizëm politik dhe mirëqenie, që nuk diskriminon asnjeri.
“Republika e Kosovës qëndron pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë ditë përkujtimi dhe theksojmë partneritetin, aleancën dhe miqësinë tonë të fuqishme në çdo aspekt e në veçanti, në luftë kundër terrorizmit,” përfundoi kryeministri. /2LONLINE/