Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, mori pjesë në Samitin e Sofjes – Vendet e Ballkanit Perëndimor 6, i cili është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.
Tema e Samitit të Sofjes, ishte Tregu i Përbashkët Rajonal – Katalizator drejt Tregut të Bashkimit Evropian.
Në fund të këtij samiti gjashtë vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy deklarata, atë për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Deklaratën për Agjendën e Gjelbër.
Me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se janë duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.
Për shkak të pandemisë me Covid 19, takimi ishte virtual. Në këtë takim përpos përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë edhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe burrështetas të tjerë të vendeve anëtare të BE-së.
Në vazhdim ju sjellim të plotë fjalën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti në Samitin e Sofjes – Vendet e Ballkanit Perëndimor 6
Të dashur kryesues, Kryeministër Zaev dhe Kryeministër Borisov, Shkëlqesi dhe kolegë,
Është nder dhe kënaqësi t’u bashkohem liderëve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët e tjerë, në përpjekjet e përbashkëta për zhvillim të bashkëpunimit rajonal, duke ndërmarrë hapa konkret që të afrohemi me Bashkimin Evropian.
Mendoj se të gjithë pajtohemi se është bërë përparim i konsiderueshëm që nga fillimi i Procesit të Berlinit. Dhe, natyrisht që kjo është bërë e mundur falë lidershipit të fuqishëm të themeluesve dhe mbështetësve të këtij procesi.
Besoj që sot jemi duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.
Është e qartë se Bashkëpunimi Ekonomik Rajonal stimulon rritjen, shton konkurrencën dhe investimet e huaja në rajon, duke shpejtuar konvergjencën tonë në drejtim të Bashkimit Evropian.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe tani janë zonë e tregtisë së lirë, por për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit tonë rajonal, ne duhet t’i largojmë të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve. Kosova është e përkushtuar që ta arrijë këtë.
Ajo që na pengon neve për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Unë, pres që procesi i dialogut në Bruksel do të përfundoj me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit.
Duhet theksuar se jo të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, janë në të njëjtën shkallë të integrimeve evropiane. Për më tepër, disa vende të rajonit, kanë marrëveshje të tregut të lirë me vendet e treta të Lindjes dhe Lindjes së Largët, që ju mundësojnë atyre, qasje në tregjet tona pa kontribut të domosdoshëm në infrastrukturën sociale dhe fizike të rajonit.
Prandaj, unë besoj që ne duhet të pajtohemi të krijojmë një mekanizëm, i cili siguron një proces të koordinuar të vendimmarrjes të çdo vendi të rajonit tonë për çështje që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët rajonal.
Në fund, më lejoni të theksoj se Zona Ekonomike Rajonale, në asnjë mënyrë nuk është alternativë për Integrimin Evropian.
Kjo duhet të na ndihmoj në ndërtimin e kapaciteteve të domosdoshme, për përshpejtim të anëtarësimit të plotë dhe të përbashkët të vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Pikërisht për këtë, e mirëpres dhe e mbështes plotësisht këtë proces. Kosova do të ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për ngritje të kapaciteteve, gjithnjë në baza të barabarta.
Ju faleminderit shumë për kujdes dhe vëmendje!