Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur sot në takim, shefin e ri të Misionit të UNHCR-së, Erol Arduc.
Kryeministri Haradinaj, tha se Qeveria e tij, është falënderuese për kontributin që ndër vite e ka dhënë ky mision i huaj, veçanërisht ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me azilkërkuesit.
“UNHCR ka pasur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në Kosovë, në përmbushjen e mandatit të tij specifik rreth refugjatëve, si dhe monitorimin e rregullt të situatës së mbrojtjes së kthimit vullnetar të pakicave dhe të popullatave të zhvendosura brenda Kosovës”, tha gjatë fjalës së tij, Kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, shefi i ri i Misionit të UNHCR-it, Erol Arduc, e ka falënderuar Kryeministrin e Kosovës për pritjen që ia bëri sot, derisa vlerësoi lart përkushtimin që po e bën Qeveria Haradinaj në kryerjen e obligimeve që ka.
Arduc theksoi se, bashkëpunimi midis UNHCR-së dhe institucioneve vendore kosovare do të jetë edhe më i fuqishëm në të ardhmen, sepse kjo është në interes të qytetarëve.