Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ministrin britanik të Shtetit për Evropë dhe Amerikë në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit, Alan Duncan.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj vlerësoi lart përkrahjen e Britanisë së Madhe për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit, duke njoftuar ministrin Duncan me zhvillimet aktuale në vend, dinamikën e re qeverisëse dhe për përkushtimin e qeverisë në fuqizimin e zhvillimit ekonomik.
Pas takimit, në një prononcim për medie, kryeministri Haradinaj tha se vizita e ministrit Duncan është një përtëritje e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që burojnë nga kohërat shumë të vështira të popullit tonë, kur Mbretëria e Bashkuar përkrahu popullin e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj më tutje theksoi se janë në dimensione të reja të bashkëpunimit, duke përmendur takimin e Londrës që do të mbahet në korrik të vitit të ardhshëm.
“Qëllimi ynë në këtë takim është që Kosova në vazhdimësi të shënojë progresin e vet që është në rend dhe ligj, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, të forcojë institucionet e rendit dhe ligjit, por të identifikojmë edhe projektet e përbashkëta, qofshin regjionale, por edhe më gjerë në perspektivën tonë euroatlantike”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Ministri britanik, Alan Duncan, në vizitën e tij të parë në Kosovë, falënderoi kryeministrin për mikpritjen e ngrohtë, duke theksuar se miqësia e afërt mes dy vendeve është shumë speciale dhe është i lumtur që Britania ka luajtur një rol aq të madh në historinë e re të Kosovës.
“Njëra nga zhvillimet më të rëndësishme vitin e ardhshëm, në korrik, është Samiti i Ballkanit, që do të mbahet në Londër, dhe njëra nga arsyet kryesore të vizitës sime është që të diskutoj me ju dhe fqinjët tjerë për punën që duhet të përqendrohemi në këtë Samit, me shpresë se do të mund të jem nikoqir, të një ngjarje shumë konstruktive dhe domethënëse”, tha ministri Duncan.
Ndonëse Samiti dhe vizita e tij në Kosovë mbahen në kohën kur Mbretëria e Bashkuar është në proces të largimit nga Bashkimi Evropian, ministri Duncan siguroi se edhe pse do të largohen nga BE-ja, nuk do të largohen nga Evropa dhe as nga bota.
“Sërish do të jemi Mbretëria e Bashkuar që sheh gjithë botën për tregti, miqësi, për marrëdhënie bilaterale, dhe për të ndihmuar në mbrojtje dhe siguri të miqve dhe aleatëve tanë. Pra, Mbretëria e Bashkuar, nuk do të zmbrapset, ne sërish do të luajmë rolin tonë të plotë në botë, nën atë që ne e quajmë ‘Britania Globale’”, u shpreh ministri Duncan.
Ai tha se shteti i tij do të ndihmojë edhe Kosovën në luftimin e krimit të organizuar. “Është me rëndësi që të punojmë me të gjitha shtetet në regjion për të tejkaluar këtë problem”, tha ai.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7240