Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët, ka pritur sot në takim kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, të cilin e ka njoftuar për së afërmi me projektet në disa sektore, të cilat janë të parapara për këtë vit.
Në një takim me këshilltarët komunalë, Haziri ka kërkuar nga Haradinaj mbështetje për projektet e mëdha, të cilat i tejkalojnë kapacitetet buxhetore të Komunës.
Duke i dëshiruar mirëseardhje kryeministrit Haradinaj, në vizitën e tij të parë në Gjilan, kryetari Haziri është shprehur i bindur se qeveria e udhëhequr prej tij do të vazhdojë t`i implementojë të gjitha zotimet e përbashkëta që lidhen me zhvillimet dhe programet infrastrukturore, që janë interesa të përbashkëta të qytetarëve.
Ai e ka rikujtuar kryeministrin se Gjilani është pikë qendrore në regjionin e juglindjes, me impakt në Luginë e Preshevës, në Kumanovë dhe Karadakun e Shkupit dhe është i rëndësishëm për bashkëpunim dhe partneritet ndërkufitar.
Si probleme madhore për Gjilanin, kryetari Haziri ka përmendur impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, shpronësimet për rrugën qarkore, problemin e infrastrukturës, kredinë e BERZH-it, autostrada dhe shumë programe të tjera.
Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, ka thënë se në temat që kapërcejnë kapacitetin e Komunës, të cilat i shtroi kryetari Haziri, ne do të jemi bashkë, “ndërkaq në çështjet që Komuna i menaxhon vetë, ne nuk përzihemi, sepse nuk janë përgjegjësi e jona”.
Haradinaj tha se qëllimi i vizitës sonë është që të mos vonohemi në këto tema, por të fillojmë të merremi me to pa humbur kohë.
“Ne kemi plot projekte para nesh. Janë marrë obligimet për autostradën, janë dy projekte tjera që si qeveri mund t`i qëndrojmë përkrah Komunës, është impianti i ujërave të zeza, një projekt i madh, ku qeveria do të hyjë në obligime financiare. Po ashtu do të marrin obligime edhe për shpronësimet e rrugës qarkore, sepse bëhet fjalë për infrastrukturë publike”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka premtuar se qeveria do të ndihmojë Komunën e Gjilanit edhe në temat tjera, që janë me interes për qytetarët. “Punët që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Gjilanit, do t`i kryejmë”, ka thënë kryeministri.
Përndryshe, kryetari Haziri dhe kryeministri Haradinaj, pas takimeve në zyre dhe në Kuvendin Komunal, kanë zhvilluar takime të ndara me dy kryetarët e komunave të Maqedonisë, Kumanovën dhe Kriva Pallankën dhe me personalitetet e rëndësishme të Gjilanit, për ta përfunduar vizitën në kompaninë për prodhimin e lëngjeve “Fludi”, si storie e suksesit të prodhimin vendor.