Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen Krasniqi, me rastin e vdekjes së kapitenit Sejdi Krasniqi, komandant i Njësisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen e kapitenit Sejdi Krasniqi. Krasniqi ishte njeri me virtyte të larta, i cili do të mbahet mend si njëri prej luftëtarëve që luftoi për çlirimin dhe ndërtimin e vendit të tij. Pas çlirimit, kapiten Krasniqi ishte angazhuar në Njësinë e Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin e tij për t’i dalë zot atdheut dhe qytetarëve të tij”, tha kryeministri Haradinaj.
Me këtë rast, kryeministri Hardinaj në emrin e tij personal dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u ka shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të kapitenit Sejdi Krasniqi, familjarëve të z. Krasniqi, miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij.