“Kampi ‘Bondsteel’ është shpresë dhe garantuese e paqes për të gjithë që jetojmë këtu”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që i bëri sot kampit ushtarak amerikan “Bondsteel”, në Sojevë të Ferizajt, dhe shtoi se edhe më tutje shpreson në mbështetjen dhe partneritetin strategjik me ShBA-në, veçanërisht ndihmën dhënë FSK-së.
Ndalesën e parë në këtë vizitë kryeministri Haradinaj i shoqëruar nga komandanti Ducich, e ka zhvilluar në spitalin e kampit, ku ofrohen shërbimet mjekësore dhe ku nga afër pa shërbimet mjekësore që ofrohen në këtë repart.
Më pas, kryeministri Haradinaj ka vizituar sektorin e deminimit, ku nga ekspertët ushtarak amerikan dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i është shpjeguar puna dhe procesi që zhvillohet në këtë repart, nga i cili që nga paslufta e deri më tani janë deminuar numër i madh zonash të minuara në gjithë Kosovën. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka falënderuar ushtarët amerikanë për kontributin e tyre në forcimin dhe ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve të FSK-së.
Kryeministri Haradinaj, vizitën e vazhdoi edhe në pistën e helikopterëve, ku në mënyrë simbolike, në shenjë mirënjohje dhe respekti për vizitën, nga komandanti Ducich, i është dorëzuar flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Haradinaj, pas pranimit të flamurit, tha se ndjehet tepër i nderuar me këtë respekt që po i bëhet nga një shtet mik, siç janë ShBA-të.
Më pas Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga komandanti Ducich dhe ushtarakë të këtij kampi, të cilët shërbejnë në Kosovë, ka drekuar në mensën, ku janë të punësuar një numër i madh punëtorësh kosovarë.
Lidhur me këtë, kryeministri Haradinaj tha se kampi “Bondsteel”, përveç misionit ushtarak që ka në ofrimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës, ka edhe një dimension tjetër më të gjerë, atë social dhe ekonomik, sepse u ka mundësuar qindra familjeve kosovare të ardhura financiare.
Në përmbyllje të vizitës, e para e këtij lloji nga një kryeministër i Republikës së Kosovës, kryeministri Haradinaj, së bashku me komandantin Ducich, u prononcuan para mediave të pranishme.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është shtet multietnik dhe është garantuese e paqes edhe në regjion.
“Sot jam i nderuar të jem me ju dhe ju falënderoj për kohën, si dhe për atë që pash këtu, sesa shumë është punuar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se jo vetëm që është kujdesur për nevojat shëndetësore të qytetarëve, por edhe për bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë mbështetjen që i keni dhënë atyre.
“Shpresojmë që edhe më tutje të jemi partner me ju dhe të mbështesni FSK-në”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, komandanti i kampit “Bondsteel”, kolonel Nick Ducich, pasi vlerësoi lartë vizitën e kryeministrit Haradinaj në këtë kamp dhe tha edhe me tutje do të vazhdojnë mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“FSK-ja po e demonstron çdo ditë e më shumë profesionalizmin e saj, në kompetencat e saj dhe sidomos në kryesore, duke qenë në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, tha komandanti Ducich.
Në fund të vizitës së tij, Kryeministri Haradinaj ia dorëzoi flamurin shtetëror të Kosovës, komandantit Ducich, si shenjë nderimi dhe respekti institucional për rolin e Kampit “Bondsteel” në Kosovë.