“Vendimi juaj që të bëheni pjesë e luftës për liri të kombit, atdheut tuaj dhe njëkohësisht ardhja juaj për të kryer detyrën ndaj atdheut prej Amerikës dhe viseve tjera, e ka shënuar një ngjarje të veçantë në historinë tonë”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pritjes që iu bëri sot delegacionit të Batalionit “Atlantiku”, të cilët 20 vjet më parë iu bashkuan luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, shprehu respektin më të lartë për pjesëtarët e këtij batalioni dhe të gjithë bashkëkombësve kudo që janë, të cilët erdhën në momentet më të vështira për t’iu bashkuar luftës për lirinë e vendit.
Kryeministri Haradinaj dhe të pranishmit në këtë takim nderuan me një minutë heshtje të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.
Duke shprehur nderin që sot është bashkë me pjesëtarët e “Batalionit Atlantiku”, të cilët 20 vjet më parë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri Haradinaj, dekoroi këtë batalion me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për kontributin e dhënë për lirinë e atdheut, si dhe iu dhuroi librin me portrete të Skënderbeut, kryeheroit kombëtar shqiptar, i botuar me rastin e Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
“E kam një dëshirë dhe ajo është që, të rënët për liri, të luftërave ose të luftës së fundit, të fundshekullit që e lamë, të zënë vend dhe kjo nënkupton që të mos i lëshojnë rend të tjerëve me vdekë dhe bien në fusha të nderit, pra për ato të drejta që i kemi fituar”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se e drejta jonë zë vend, nëse zënë vend dëshmorët, sepse në të kundërtën nëse lëkunden ata, e drejta jonë lëkundet dhe do të përsëritet prapë brez pas brezi.
Ndërsa, në emër të delegacionit të Batalionit “Atlantiku”, foli Hysni Syla, i cili pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe organizimin, tha se është karakteristikë e veçantë e Batalionit, sepse në të marrin pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare. “Themelimi i këtij Batalioni ishte me një mision të posaçëm dhe të shenjtë, për t’iu treguar edhe Kosovës edhe Shqipërisë se, edhe pse shqiptarët largohen nga atdheu në momente të caktuara, atëherë kur thërret vendlindja, kur thërret atdheu, shqiptarët janë të gatshëm çdoherë t’i lënë shtëpitë dhe familjet e tyre, biznesin dhe t’i përgjigjen atdheut. Këta burra iu përgjigjen atdheut”, tha Syla.