Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me ç’rast është pritur nga ministri Shyqiri Bytyqi.
Në takim, është biseduar për përgatitjet për testin “PISA 2018” (Programi Ndërkombëtar i Vlerësimit të Studentëve), por edhe për arsimin fillor dhe atë të mesëm, në veçanti për sigurinë por edhe pastërtinë nëpër shkollat tona.
Kryeministri Haradinaj, tha se gjendja në arsim nuk është e mirë, por theksoi se arsimi është prioritet i Qeverisë dhe fokusi në të do të jetë i vazhdueshëm.
Kryeministri tha se testi PISA, që është një vlerësim ndërkombëtar dhe që do të ndodhë në fund të muajit prill ose në fillim të majit, duhet të merret seriozisht, në mënyrë që të dalë niveli i vërtetë se ku ka arritur mësimdhënia në raport me këtë test të vlerësimit.
“Një pjesë e përgjegjësisë bie për kryetarët e komunave, për drejtorët e drejtorive të arsimit nëpër komuna dhe zbret deri te mësimdhënësit dhe nxënësit”, tha kryeministri Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj shprehu shqetësimin në përgjithësi për arsimin fillor dhe atë të mesëm, me theks të veçantë nivelin e sigurisë nëpër shkolla, problemin me narkotikë, duke theksuar se këto do të trajtohen me seriozitetin më të madh dhe do të jepet llogari për gjithçka.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se vizita e kryeministrit Haradinaj në MASHT në fillim të vitit, është dëshmi se Qeveria dhe kryeministri po i kushton rëndësi arsimit dhe e ka në prioritet arsimin, si fushë të rëndësishme në Kosovë.
“Në takim i diskutuam sfidat dhe punët që na presin në vitin 2018. Në kuadër të shumë temave që i diskutuam ishte edhe “PISA 2018”, një test që presim që në muajt në vazhdim të kemi një dinamikë të shtuar të punës, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur në mbajtjen e testit final”, tha ministri Bytyqi.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7454