Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Miroslav Lajçak, përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit. Kryeministri Kurti riktheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë, duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
U bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Përendimor. Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit. /2LONLINE.com/