Kuvendi i Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, kanë nënshkruar sot Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar emërimin e udhëheqësve të përgatitur, të pavarur dhe profesionalë në institucione dhe organe publike, përmes proceseve rekrutuese transparente dhe të bazuara në meritë.
Në emër të institucioneve gjegjëse, Memorandumi është nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott.
Nëpërmjet këtij Memorandumi palët u pajtuan që të bashkëpunojnë për mbështetjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në rivendosjen e besimit në institucionet publike duke avancuar zbatimin e proceseve të rekrutimit, siç përcaktohet me legjislacionin përkatës në fuqi.
Mbështetja britanike do të ndihmojë në funksionalizimin e sistemit të ri të rekrutimit për kategoritë e larta drejtuese, monitorimin dhe vendosjen e standardit të ri për proceset e rekrutimit në emërimet publike në Kosovë, si dhe përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve publike. /2LONLINE.com/