Skena politike, përkatësisht subjektet tona politike janë shndërruar në korporata fitimprurëse për politikanët. Të zgjedhurit e popullit, gjegjësisht deputetët më shumë po u shërbejnë liderëve dhe grupeve të interesit brenda partive, mafio-politikanëve dhe oligarkëve ekonomik sesa qytetarëve të vendit.
Shkruan: Florim Zeqa
Më e zezë e reja se e vjetra
Aq të paparashikueshëm janë bërë deputetët në Kuvend, saqë më nuk po dihet, se kush është në pushtet dhe kush tjetër në opozitë, kush i djathtë e kush i majtë!
Devalvimi dhe degradimi i skenës politike është duke e dëmtuar shtetin dhe rënduar jetën e qytetarëve.
Të gjitha legjislaturat e deritanishme as për së afërmi nuk i kanë përmbushur pritjet e qytetarëve. Degradimi i Kuvendit po vazhdon nga njëra legjislaturë tek tjetra. Më e zezë e reja se e vjetra!
Nuk ke si i trajton ndryshe legjislaturat e kuvendit të pasluftës dhe paspavarësisë, pasi Kosova ka mbetur i vetmi vend në Ballkan dhe Evropë, e ndër vendet e pakëta në Botë pa sigurime bazike shëndetësore.
Përderisa në vendet e zhvilluara dhe demokratike edhe kafshët i kanë sigurimet shëndetësore, në vendin tonë jeta e njeriut vlenë më pak se 30 cent, aq sa kushton në predhë e një revolje të vogël që mund t’i merr jetën qytetarit të Kosovës në çdo orë apo minutë!
E meqë është pikërisht kështu, asnjëra parti politike, liderë apo politikan, qoftë në pushtet dhe opozitë nuk e kanë të drejtën të krrekosen që kanë bërë diçka të mirë për jetën e qytetarëve.
Deputetët, të ndarë për interesin e qytetarëve, të bashkuar për interesin personal
Deputetët e ardhur me votë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për t’i avancuar proceset demokratike dhe infrastrukturën ligjore, janë pikërisht ata që po e bëjnë të kundërtën me mosprezencën në seancat e kuvendit dhe me mosvotimin e ligjeve bazike që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Mirëpo e njëjta gjë nuk ndodhë kur janë në pyetje interesat e tyre personale. Për votimin e ligjit për rritje të pagave dhe privilegjeve të deputetëve, të zgjedhurit e popullit bëhen menjëherë bashkë edhe në pikun e krizave më të mëdha politike, ndërsa kur është në pyetje interesi i qytetarëve, siq ishte votimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili gjashtë herë nuk arriti të votohet në Kuvend, përderisa presioni ndërkombëtar bëri që herën e shtatë të votohet në lexim të parë!
Ky devijim i (pa) qëllimshëm i të zgjedhurve të popullit, ka thyer në masë të madhe shpresat e qytetarëve.
Sjellja e papërgjegjshme e legjislaturave të deritanoshme i ka vënë tatpjetën punës së Kuvendit. Sjellja e papërfillshme ndaj rregullores së punës së kuvendit, gjuha fyese dhe denigruese deputetëve kundër njëri-tjetrit e ka kthyer Kuvendin në cirk dhe teatër kukullash që dirigjohen me telekomandë nga liderët partiakë.
Miratimi i ligjeve antishtetërore nga legjislaturat paraprake
Kapja e thellë e disa deputetëve nga liderët partiak, grupet e interesit dhe nëntokat kriminale brenda partive, është duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e shtetit dhe është duke shuar shpresat e qyterëve për jetë në Republikën e Kosovës.
Për dallim nga legjislatura aktuale e cila nuk e ka pasur rastin ta votoj asnjë ligj antishtetëror dhe antikombëtar, legjislaturat paraprake i kanë votuar ligjet që po e zhbëjnë në substancë dhe themel shtetin e Kosovës; ligjin për decentralizimin etnik, ligjin për asociacionin etnik, ligjin për demarkacionin, ligjin për specialen, ligjin për amnistimin e kriminelëve serb të luftës e shumë ligje të tjera që kanë rrezikuar të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Nëse nuk lëvizin shpejtë gjërat për të mirë, atëherë Kosova, në njërën anë nga kriza pandemike dhe në tjetrën nga dialogu me Serbinë do të rrëshqas në një kolaps të thellë politik dhe ekonomik, nga i cili vështirë do të dilet më!
Të shpëtohet shteti nga bankrotimi
Me këtë klasë të papërgjegjshme politike në pozitë dhe opozitë, me këta politikanë që interesin e qytetarit nuk e kanë prioritet, por vetëm bëjnë plane si të mbajnë pushtetin apo të vijnë në pushtet, si të pasurohen nga paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës apo si t’i plaçkitin investitorët e vendor dhe ata ndërkombëtar, jo vetëm që nuk do të kemi ndryshim, do të kemi rënje të vazhdueshme ekonomike e cila do ta çojë pashmangshëm shtetin në bankrotim.
Që kjo të mos ndodhë, duhet të ndodhin ndryshime shpejta dhe substanciale. Kjo është e mundur vetëm me ngjizjen e një force të re politike me njerëz të rinjë, gjak të ri dhe të pastër kombëtar që interesin e shtetit dhe qytetarëve e vënë në plan të parë.
Vetëm gjeneratat e reja, të arsimuara dhe të pakorruptuara do të jenë të gatshme dhe të afta që t’i ndryshojnë rrjedhat politike dhe ta bëjnë shkëputjen e madhe nga politikbërja regresive, për ta kthyer Kosovën në rrugë të mbarë, të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenjes qytetare.
U mbetet qytetarëve, që në zgjedhjet e ardhshme të mos i votojnë politikanët e korruptuar dhe të dështuar, të mos i votojnë njerëzit e njëjtë, të mos i votojnë servilët dhe puthadorët e pushteteve, por t’i votojnë ata që janë shpresa dhe shpirti i këtij vendi-të rinjtë dhe të rejat, kuadrot e pastra dhe të padjallëzuara që e duan me zemër vendin e tyre. /2LONLINE.com/