Ditën e sotme është krijuar Komiteti i Përbashkët Monitorues i cili do të monitorojë dhe mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes Bazike për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj.
Siç parashihej dhe në pikën 6 të Aneksit të Zbatimit, Komiteti do të themelohej 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër, të mbajtur muajin e kaluar me datë 18 mars. Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Vendi ynë do të përfaqësohet nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori Petkoviq.
Komiteti do të mbajë takime të rregullta në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet në javët në vijim, pas takimit të radhës të nivelit të lartë. Ndërkohë takimi i radhës i nivelit të lartë në procesin e dialogut është i planifikuar të mbahet në Bruksel, më datë 2 maj. /2LONLINE/