Erson Zymberi, përfaqësues i ANP-së ka bërë me dije për Portalin e Lajmeve “2lonline”, se deri në fund të këtij viti do të ketë aktivitete të shumta në kuadër të fushatës avokuese “të ndryshojmë diçka”, që në fakt është faza e dytë, pasi rreth kësaj çështje janë realizuar më parë aktivitete në ndërtim të kapaciteteve e të rinjve përmes trajnimeve të ndryshme.
“Qëllimi i këtij projekti është krijimi i një hapësire dhe vendi të sigurt , ku të rinjtë do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre kreative dhe edukative përmes inicimit të dialogut ndëretnik, si dhe pranimit dhe respektimit të dallimeve, duke u bërë kështu model i një qytetari aktiv në komunitetin e tyre”, ka thënë Zymberi.
Ai ka bërë të ditur se një numër i madh i të rinjve të Komunës së Gjilanit janë përfshirë në fushatën avokuese për ndërtimin e një Qendre shumë kulturore për të rinjtë.
AI ka bërë me dije se faza e parë për këtë çështje është kryer ku në kuadër të saj janë mbajtur trajnime të shumta ndërsa në fazën e tanishme priten takime me institucione, me të rinjtë e komuniteteve të ndryshme, ndërtimin e koalicioneve mes të rinjve, studentëve, profesorëve, OJQ-ve dhe institucioneve lokale.
Po ashtu, sipas Zymberit, do të ketë edhe fushatë mediale, aksione rrugore e debate të ndryshme në mbështetje të evokimit për ndërtimin e një Qendre të tillë.
Edhe Gazmend Murseli nga ANP, ka bërë me dije se synim është që të krijohet kjo Qendër për të rinjtë me qëllim që atyre tu krijohen mundësitë për tu shprehur, për të vepruar dhe realizuar idetë e tyre.
Ai tha se do të synohet edhe koalicioni me të gjitha ato OJQ që e kanë një perceptim të tillë dhe veprojnë e synojnë të krijojnë mundësi për të rinjtë pra duke avokuar që një Qendër e tillë të bëhet sa më shpejtë realitet dhe Gjilani, përkatësisht të rinjtë pa dallim ta kenë atë.
Përndryshe, të gjitha aktivitetet e projektit pritet të zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë në mes ekipit të ANP-së dhe pjesëmarrësve të projektit /2lonline/.