Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka pritur në takim dy studentë të ardhshëm vitias Vlera Hasanin dhe Gentrit Hoxha, të cilëve kryetari Haliti u ka dëshiruar suksese dhe i ka inkurajuar për përkushtim në rrugën drejt shtigjeve të reja të dijës, duke shpresuar se një ditë do të jenë e ardhmja e mirë e këtij vendi.
Përndryshe, Vlera Hasani është nga fshati Smirë dhe është përfituese e vetme kosovare e bursës prej 110.000 $ për shkollim në Pearson College UWC (United World Colleges) në Kanada, e cila është lëvizje globale edukative që e bën edukimin forcë që bashkon njerëz, kombe dhe kultura për paqe dhe të ardhme të qëndrueshme.
UWC ka 17 shkolla në 4 kontinente dhe studentët e shkollave UWC përzgjidhen nga shtetet e tyre, në 155 shtete, nëpërmjet sistemit unik të komiteteve kombëtare.
Përzgjedhja bazohet në potencialin dhe aftësinë që të rinjtë demonstrojnë.
Vlera Hasani është e vetmja nga Kosova, e cila ka fituar bursë për në këtë kolegj prestigjioz, ku viti kushton 55.000$. Aty ajo do të vazhdojë klasën e 11 dhe 12.
Në këtë pritje kryetari Haliti i’u dhuroi atyre nga një laptop dhe premtoi mbështetje institucionale për gjithë nxënësit që tregojnë rezultate.
Edhe drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini, ka vlerësuar lartë përkushtimin e këtyre dy nxënësve shumë të suksesshëm të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, e të cilët i ka quajtur edhe krenaria e Vitisë dhe Kosovës.