Askush nuk kishte besuar se Kosova në eliminatoret e para për Evropian do të jetë tema më e diskutuar, por ja që Kosova e Challandesit e arriti këtë, madje nuk po lë më vend as për befasi.
Kosova ka edhe dy takime vendimtare deri në fund të eliminatoreve, atë ndaj Cekisë dhe Anglisë që e zhvillon në Prishtinë.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka rrëfyer për rrugëtimin e Përfaqësueses së Kosovës.
Kosova së fundmi i ka befasuar tifozët e vet, duke sjellë futbollistë të njohur në ekipin përfaqësues.
I tillë ishte Florent Muslija, që diskutohej për mundësinë të bëhet pjesë e Gjermanisë, por ai i tha “Po” Kosovës. Ademi ka thënë se në nëntor tifozët kosovarë do t’i gostitë me një tjetër befasi.
“Sigurisht që do të ketë shumë risi edhe në nëntor. Unë nuk jap emra në këtë moment thjesht për ta ruajtur korrektësinë ndaj lojtarëve, por janë disa lojtarë shumë të dëshirueshëm për ne që mund të bëhen pjesë e Kosovës. Tash jemi në një pozicion ku nuk dua t’i thur lavde vetes, por si meritë e rezultateve të këtyre djemve dhe organizimi i mirë po bën që të gjithë shqiptarë të cilët jetojnë jashtë ta duan Kosovën dhe të jenë pjesë e këtij suksesi”, ka deklaruar Agim Ademi