Për kreun e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, Organizata e Veteraneve të Luftës Çlirimtare nuk e ka asnjë arsye të kërcënoj me protestë, pasi miratimi i ligjit një javë para a prapa pak ka rëndësi. Sipas tij, problemi do të mbetet, sa e si do t’i zgjidhë problemet e veteranëve të luftës çlirimtare, shuma e parave që ata do ta marrin në muaj.Kryeparlamentari i ka bërë rezyme në Facebook seancës të së enjtes. Në një status të gjatë, kreu i Kuvendit të Kosovës ka përthekuar tri pika të rendit të ditës të kësaj seance. E atë e ka postuar në profilin e tij.
“Në pikën e parë të rendit të ditës, sot është diskutuar një çështje më shumë se serioze, siç është siguria e jetës së njerëzve, është fjala për vrasjet në Pejë. Unë jam i bindur se çështje të tilla meritojnë dhe kërkojnë një trajtim më serioz. Konflikti në mes familjes Elshani dhe Kelmendi është më shumë se i dhimbshëm”, ka shkruar Krasniqi, për të cilin, këtu shtrohen domosdo dy pyetje.
E para, institucionet e sigurisë kombëtare a i kanë kryer të gjitha obligimet e veta, konform ligjeve në fuqi? dhe e dyta, shoqëria shqiptare në përgjithësi, a i ka bërë përpjekjet e duhura për të ndihmuar në ndonjë formë të ndërmjetësimit në mes familjeve në fjalë?
Përgjigje, natyrisht, u ka dhënë vetë.
“As mediat si pushtet i katërt nuk duket se kanë bërë të mundshmen, përkundrazi kanë heshtur shumë.
Një gjë është e sigurt, kjo shkallë e pa sigurisë që mbretëron që sa vjet në qytetin e Pejës duhet të ndërpritet. Qytetarët e Pejës nuk e meritojnë ketë nivel të pa sigurisë, as familjet në fjalë nuk e meritojnë ketë gjendje lufte të pa kuptimtë”, ka thënë Krasniqi.
Zgjedhjen e Avokatit të popullit e përsëritëm. Përsëritja, shkruan Krasniqi, ndodhi për shkak të paqartësive që u shkaktuan nga interpretime të ndikuara nga grupe apo individ që me çdo kusht kërkonin zgjedhjen e të preferuarit të tyre.
“E përsëritëm votimin për të bindur opinionin se nuk ekzistonte vullneti për t’i zgjedhur kandidatet e propozuar nga Komisioni funksional”.
Në pikën e tretë, Krasniqi ka folur për diskutimet për Ligjin e Veteranëve të Luftës Çlirimtare, që të radhitej në rend të ditës, e që për të ishte i pa kuptimtë.
“Ligji për tu radhitur në rendin e ditës, është dashur të bënim shmangien nga Rregullorja e Punës së Kuvendit e jo të diskutohej se çka duhet të përmbante ligji. Ky diskutim duhet të behej vetëm pasi Ligji të hynte në rend të ditës. Arsyeja pse Ligji nuk hyri në rend të ditës ishte e pa kuptimtë.
Sido që të jetë, Ligji në fjalë i plotëson të gjitha kushtet për t’u renditur në seancën e radhës me amendamentet e propozuara pa pasur nevojë të bëjmë shmangie nga Rregullorja e Punës se Kuvendit”, shkruan Krasniqi. “Shoqata e Veteraneve të Luftës Çlirimtare nuk e ka asnjë arsye të kërcënoj me protestë, pasi miratimi i ligjit një javë para a prapa pak ka rëndësi. Problemi do të mbetet, sa e si do t’i zgjidhë problemet e veteranëve të luftës çlirimtare, shuma e parave që ata do ta marrin në muaj?”, ka përfunduar ai.