“Mbi 120 anëtarë të ri, në krye me afaristin Selver Xhelili, kanë aderuar në Degën tonë në Gjilan. I falënderoj të gjithë për besimin dhe angazhimin që kanë vendosur të japin në PDK, e përmes nesh, për shtetin dhe shoqërinë”, ka thënë Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas tij, kjo është dëshmi se PDK mbetet alternativa më e mirë politike dhe qeverisëse për vendin, e cila, kudo që është duke qeverisur në nivelin lokal, po kryen punë dhe po e mban fjalën, për dallim nga dështimi i madh i Qeverisë në nivelin nacional – në të gjithë sektorët.
“Sikur në Gjilan, Partia Demokratike e Kosovës po mobilizohet në secilën komunë të Kosovës, me njerëz të ri, energji të reja e dashuri të madhe për vendin. Vizioni ynë për të ardhmen është i qartë: bashkë me qytetarët dhe për ta, të rikthejmë Kosovën në kursin e duhur të zhvillimin dhe integrimit”, ka thënë lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndërsa, Riad Rashiti, kreu i PDK-së së Gjilanit ka thënë se angazhimi ynë i përbashkët strukturor, ka bërë që PDK në Gjilan, me përkrahjen e kryetarit Memli Krasniqi, të ri-organizohet dhe fuqizohet për rolin e saj vendimtar në proceset e reja politike në Kosovë dhe në komunën tonë.
“Ne në Gjilan nuk jemi ndalë, por jemi ri-organizuar dhe mobilizuar për ta fuqizuar PDK-në. E këtë po e dëshmojmë edhe tani, ku si rezultat i punës dhe angazhimit tonë, vitin po e përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme, ku po na bashkohen mbi 120 aderime të reja në familjen tonë të madhe PDK-së”, ka thënë Rashiti.
Ai ka prezantuar aderimet e reja, në krye me Selver Xhelilin, e për të cilët shtoi se janë njerëz të punës, sukseseve, dijes dhe profesionalizmit.
Rashiti ka thënë se bashkë me Selver Xhelilin një afarist i dalluar, i suksesshëm në fushën e turizmit, ish drejtorin komunal të DKRS në Gjilan dhe ish asambleistin e Kuvendit Komunal, PDK-së po i bashkohen edhe 120 të rinj të profesioneve të ndryshme, për t’i përmendur disa prej tyre.
“Kjo ardhje masovike është energji e re për PDK, ku në mesin e tyre ka kuadro të shumta dhe të ndryshme profesionale nga të gjitha fushat”, ka thënë Rashititi i PDK-së së Gjilanit.
Afaristi Selver Xhelili, i cili aderoi së bashku me 120 anëtarë të ri, ka thënë se një nga arsyet pse po i bashkohet këtij rrugëtimi politik është fakti se pa Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka zhvillim të Kosovës. Ai ka thënë se PDK është e vetmja parti që ka mbajtur gjithmonë dyert e hapura për të rinjtë, duke u dhënë hapësirë dhe përgjegjësi qeverisëse.
Edhe folës të tjerë vlerësuan PDK-në si parti gardiane e shtetit të Kosovës dhe si e vetmja parti që do ta zhvillojë atë, duke punuar me qytetarët dhe për qytetarët. /2LONLINE/