DYLON

Haziri i LDK-së adreson kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti

Haziri i LDK-së adreson kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti
Avatar photo Redaksia

Me rastin e 34-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Viti është mbajtur takimi i Degëve të LDK-së në Anamoravë. Të pranishmëve u është drejtuar kryetari i Degës në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, i cili ka qenë kritik i ashpër i kryeministrit Kurti dhe qeverisjes së tij.

Ja fjala e Hazirit:

EkoHigjiena

***

Sot, në manifestimin e madh politik të Anamoravës, në Viti, demaskuam mashtrimet e manipulimet frapante të kryeministrit ose, më mirë të themi, administratorit të Kosovës sot.

Jam i lumtur që në këtë tubim masiv e në këtë solemnitet, t’ju them se me qeverisjen e Vitisë ndihemi krenarë të gjithë, pa dallim, 

Ndihet krenar edhe kryeministri i Republikës, ai i cili vjen këtu e mundohet t’i përvetësojë rezultatet e qeverive të kaluara. 

Përvetësimi i investimit të Parkut Industrial këtu ishte tentim i mjerë prej mashtruesi, me një lehtësi të padurueshme.

Për ta kuptuar deri ku shkon shkalla e mashtrimit të tij, me keqardhje të thellë, më duhet ta them para jush se Kurti ka manipuluar në mënyrën më të ulët edhe me ndjenjat e besimtarëve myslimanë.

Besimtarët ia dhanë besimin e plotë hiç më pak se një ateisti, sepse i mashtroi me lehtësi të padurueshme teksa ndalej kinse për ta respektuar ezanin. 

Kurti ka luajtur me ndjenja të besimtarëve, të namazlive, të njerëzve të xhamive, ka luajtur me njenjat e haxhive, e kjo është pafytyrësia më e madhe që mund ta bëjë një politikan. Jam i sigurtë që këtë mashtrim s’kanë me ia fal. 

Kurti, përveç tjerash, Kosovën e ka sjell në depresion të thellë ekonomik e politik.

Kosova sot është më e pa sigurtë, më e pa shpresë. 

Kosova sot është e izoluar.

Kosova sot është nën sanksione nga bota perëndimore që nuk i ka ndodhur kurrë më parë.

Kosovën duan ta bëjnë vend të pajetueshëm. Duan ta bëjnë vend të shkretë. 

Në këtë qeveri, për tri vjet, kanë shpërthyer skandalet e papara korruptive e nepotizmi në punësim. Dominon paaftësia, mungesa e ekipit e e përvojës. Po ashtu, me metoda të vjetra të frikësimit e shantazhit, kjo qeveri po tenton t’i disiplinojë punonjësit e shtetit dhe kjo është tepër e rrezikshme. 

Edhe më i rrezikshëm është fakti se Kurti erdhi në pushtet me metoda të gjakimit për pushtet absolut dhe Kosovën e solli afër vëllavrasjes, përmes metodave të përçmimit, poshtërimit djallëzor e keqinterpretimit të realiteteve. 

A i keni parë deklaratat e eksponentëve të Qeverisë Kurti se si e kontesojnë shtetin, e shohin si projekt të përkohshëm. 

Po duan ta zhbëjnë Republikën, për të cilën u sakrifikuan mijëra gra e burra, më të mirë të kombit.

Këtë Kosovë të sotme, këtë Republikë e ka projektuar deri në detaje Presidenti tashmë i ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova sepse ai ishte një hap para krejtve. Ai e realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve. 

Rugovistët e demokratët e dinë mirë se ideologët e majtë janë të përkohshëm, por kjo Republikë, që e projektoi e themeloi Rugova, është e PËRJETSHME!

Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Vitinë!

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.