Deputeti i Vetëvendosjes, Florin Krasniqi ka ngritur shqetësimin për deklaratat e disa personave që kanë punuar për shërbimet sekrete serbe, sipas të cilëve në institucionet e Kosovës ka ende individë që bashkëpunojnë me shërbimet serbe.
“E ftoj prokurorinë e Kosovës, menjëherë e urgjentisht me i marrë këta njerëz në pyetje, edhe këta njerëz me tregu se kush janë njerëzit në radhët tona që punojnë për shërbime informative të huaja e sidomos atyre armike. Këta njerëz prapë po bëjnë detyrën e që e kanë bërë me dekada dhe po krijojnë konfuzitet në radhët tona. Ne mundemi mos me u pajtu politikisht, por mendoj se kombëtarisht pajtohemi, andaj ftojë prokurorinë të merret me këta njerëz”, tha ai, transmeton RTK.
Ndërkohë gjatë ditës në Kuvend pritet shqyrtimi i Propozim-programit të punës së Kuvendit për vitin 2014, si dhe një mori ligjesh tjera përfshirë edhe leximin e parë të Projektligjit për sigurimin shëndetësor dhe projektligji për skemat pensionale.