Zëdhënsi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije për “Epokën e re” se nesër (e enjte) KQZ-ja pritet ta shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ai ka thënë se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përbmyllyur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor. Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpall rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte (7 nëntor)”, ka thënë Elezi.
BURIMI: Epoka e re