(2L ONLINE) – Komiteti për Politikë dhe Financa, në mbledhjen e fundit, të drejtuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit Komunal, Draft-projektit e manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, Raportin vjetor të kompanisë “Stacioni i Autobusëve, propozim-vendimin për kompensimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në kompanitë “Stacioni i Autobusëve” dhe “Ecohigjiena”, Raportin e Komisionit komunal për zgjedhjen e këshillave lokale dhe i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.
Ndërkaq, KPF i ka shtyrë për një seancë tjetër Raportin e kompanisë “Ecohigjiena” si dhe propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim të një ngastre kadastrale prej 233 m/2 për nevoja të banimit social, për të marrë rekomandimin edhe të Komitetit të Pronës, edhe të Komisionit që ka propozuar ndarjen e këtij trualli për familjen Isufi.
Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit, ka thënë se hartimi i planit vjetor të punës së Kuvendit Komunal është obligim ligjor. Me propozimin e Selvete Shurdhanit (PD) u vendos që grupi punues të zgjerohet në 7 anëtarë, për t`iu dhënë mundësi përfaqësimi të gjitha grupimeve politike, nga 5 sa ishte paraparë.
Sa i përket manifestimit “Flaka e Janarit 2015”, Bujar Haziri, përgjegjës për Kulturë, tha se ky është edicioni i 24-të me radhë, duke nënvizuar se “Flaka…” është bërë tashmë një identitet kulturor i Gjilanit.
Festivali i Dramës Shqiptare nuk do të ketë më karakter garues, meqë ky manifestim pavarësisht dhe do të mbahet në maj, bashkë me një festival të muzikës.
KPF i ka dhënë mbështetje të plotë programit të “Flaka e Janarit 2015”, me disa sugjerime, që manifestimi të lirohet nga karakteri garues, por më tepër të jetë promovues i artistëve të rinj.
Raportin e punës së kompanisë “Stacioni i Autobusëve” për vitin 2013 e ka dhënë Avdyl Jerliu, kryesues i Bordit të Aksionarëve, ndërkaq ai për kompaninë “Ecohigjiena” është shtyrë për një seancë tjetër, meqë nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i Bordit të Aksionarëve, që siç u tha, e kanë obligim të raportojë para institucioneve komunale.
Po ashtu KPF rekomandoi që kompensimi mujor për anëtarët e Komisioneve komunale të Aksionarëve në këto dy kompani, që siç ka thënë Valentina Bunjaku-Rexhepi është propozuar të jetë nga 200 euro në muaj, duke përfshirë edhe muajt e kaluar.
Një raport për formimin e këshillave lokale e ka paraqitur Avdyl Aliu, i cili tha se në kuadër të një pilot-projekti që është mbështetur nga Ambasada Amerikane, janë themeluar këshillat lokale në dhjetë fshatra, duke respektuar edhe kriterin gjinor e etnik.
Qëllimi i themelimit të këtyre këshillave, është qeverisja e afërt me qytetarin, ka thënë Aliu. /2LONLINE/