Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues i Kuvendit Komunal të gjilanit, ka mbajtur sot takimin e radhës, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-buxhetin e Komunës së Gjilanit për vitin 2023, propozim-vendimin për themelimin e Komisionit për zgjedhjen e Këshillave lokalë, informatën për korrje-shirje si dhe raportin e komisionit për ndarjen e bursave.
Ndërkaq, kërkesa nga Policia e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të objektit të ish-QKKM-së, nuk i mori votat e nevojshme për t`u rekomanduar në Kuvend, pasi opozita doli kundër, me arsyetim se në këtë objekt ka qenë e planifikuar hapja e një qendre regjionale stomatologjike.
Opozita nuk ra dakord as për bartjen e pikave të mbetura nga seanca e tetë, me arsyetim se ajo seancë nuk është mbyllur dhe se duhet të vazhdohet.
Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit tha se sidoqoftë, këto pika do të diskutohen në fillim të seancës së ardhshme dhe i mbetet Kuvendit të vendos për këtë.
Ai ka kërkuar nga opozita, e cila e ka shumicën në KPF, që të mos e luajë arrogancën e numrave e ta bllokojë punën, por të jetë bashkëpunuese për interesa të qytetarëve, ndërkohë që opozita është përgjigjur duke thënë se ata janë në rolin e tyre dhe se nuk mund t`u lihet faji për dështim të seancës, shkaku i mungesës së kuorumit.
Përndryshe, nga seanca e kaluar kanë ngelur pa u shqyrtuar në Kuvend këto pika: raporti i kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor 2022, raporti i punës për vitin 2021 i Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompanitë publike lokale “Higjiena”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena” në Gjilan si dhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë, për hapjen e varrezës për groposjen e kafshëve të ngordhura. /2LONLINE/