Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Kosovës. Meqë është kështu, ai (kuvendi) duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të gjitha partive politike të cilat kanë arrit të marrin besimin qytetarë për të qenë aty.
Shkruan: Ardian Azemi
Kuvendi nuk duhet ti takoj askujt, sepse është i të gjithëve, sepse u takon të gjithëve, ngase demokracia e do kështu, e në demokraci, sado e brishtë qoftë ajo, bëhet qysh thotë shumica, ose të paktën do të duhej të ishte kështu.
Për fatin e keq të Kosovës, kuvendi në përbërjen e tij ka njerëz të cilët nuk meritojnë ti ipet besimi të ruaj kafshtë në ara, e më së paku të përfaqësoj qytetarin. Kuvendi i Republikës së Kosovës veç kuvend nuk është. Aty mund të flasësh çfarë të duash, të ofendosh e etiketosh kënd të duash, anipse aty je për diçka krejt tjetër.
Fatkeqësisht, kuvendi është shndërruar në vendin ku bëhet fushatë, vend parapërgatitor për zgjedhje. Zhvillimet e fundit në Kosovë, shpërfaqin për të satën herë paaftësinë për të ofruar zgjidhje, dhe apetitet për pushtet. Këmbëngulësia e opozitës për ta pengua çdo nismë, projektligj apo ligj, veç pse janë në opozitë e dikush tjetër në pushtet, tregon më së miri në çfarë derexhe ka ardhë ky vend.
Opozita e tanishme, asnjë vlerë se ka, ama bash asnjë. Gjysma e opozitës bashkë me gjysmën e pozitës aktuale, e kanë shkatërrua Kosovën përgjatë 17 vjetëve pandërprerë, ndërsa gjysma tjetër e opozitës është aq e mbushur me inate e mllef, saqë janë në gjendje me shkatërrua gjithçka, madje pa zgjedhë as mjete as metoda për me ardhë në pushtet.
Cila është e vërteta..? Është përfolë gjatë për mungesë transparence për dialogun me Serbinë, për të cilën edhe unë jam i pajtimit se vërtetë kemi qenë të painformuar se çka realisht po bëhet ne Bruksel. Qeveria ia ka ofrua kuvendit, respektivisht çdo deputeti raportin se çka është bë deri tani në bisedime.
Është kërkuat platformë për bisedime, edhe kjo është bërë, porse nuk është pranuar për shkak se nuk e duan Hashim Thaçin aty, një njeri për të cilin shpirtin ishin në gjendje me dhënë përderisa e bënë president. Tani kemi Ekip Negociator të emëruar nga qeveria, pa emrin e presidentit, ekip i cili i shkon kuvendit për votim, prapë nuk bënë.
Opozita kërkon të votohet një rezolutë, por jo ekipi. E pakuptimtë! Çka duhet bërë..? Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thotë qartë çka ndodh për ata që e vënë në diskutim tërësinë territoriale të Kosovës, dhe dëmtojnë sovranitetin e shteti. Unë nuk një ndonjë rezolutë që mund ta minimizoj aktin më të lartë juridik dhe politik të shtetit, kushtetutën. Andaj, çka hyn në punë këtu rezoluta..?!
Nëse veç po insistohet që me çdo kusht të kemi rezolutë, pse mos të nxjerret pra. Por, si ka mundësi të mos pranohet që presidenti aktual të mos kryesoj bisedimet me Serbinë, ndërsa në anën tjetër të nxjerret rezolutë e cila ia pamundëson po të njëjtit person (presidentit) të mos flas për tërësinë territoriale..?! Këtu shoh veprime që bien në kundërshtim me vetveten.
Partitë parlamentare, duhet të ulen dhe të diskutojnë për format të cilat e nxjerrin nga kjo situatë e rënd Kosovën. I takon kryeministrit të Kosovës në këtë rast, ti ftoj përfaqësuesit e partive parlamentare, dhe bashkë të bien dakord që të thirret një seancë plenare në të cilën do të plotësohet me emra nga opozita dhe shoqëria civile, dhe të votohet ekipi negociator, dhe pas kësaj të votohet edhe rezoluta, sado e panevojshme të jetë ajo.
Protestat nuk janë zgjidhje, sepse qëllimi pse ato thirren, është veç për me ardhë në pushtet. Kosova nuk ka organizuar protesta për papunësinë e lartë, për cilësinë në arsim, për paga të ulta, për shëndetësi, drejtësi e shumë tema tjera të cilat tani e 18 vjet nuk kanë gjetë zgjidhje.
Është e pandershme dhe hiç njerëzore të keqpërdoret qytetari, të manipulohen rinia duke shfrytëzuar kryekëput fukarallëkun e popullit veç për ti realizuar interesat e një grupi të ngushtë politik. Është turp!