“Një përfundim i përgjithshëm i diskutimeve me FMN-në është se Kosova, edhe jashtë marrëdhënieve programore, ka arritur të menaxhojë vet dhe me sukses stabilitetin makro-fiskal, ndërsa ekonomia ka pasur rritje të qëndrueshme”, ka theksuar sot ministri i Financave Bedri Hamza në konferencën për media me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, të kryesuar nga znj. Stephanie Eble.
Me këtë rast Ministri Hamza, ka bërë të ditur se diskutimet dy-javore me Misionin e FMN-së për Kosovën, kanë pasur dy qëllime: Diskutimin e ndërtimit të draft-buxhetit 2019, si dhe diskutimin për ecuritë afatgjate fiskale dhe ekonomike në kontekstin e vlerësimit të rregullt vjetor të FMN-së, sipas Nenit 4 të anëtarësimit tonë në këtë organizatë.
“Në të njëjtën kohë, të dyja palët jemi pajtuar se rreziqet e brendshme dhe të jashtme ndaj këtij stabiliteti janë evidente, dhe duhet vazhduar me kujdes të shtuar, sidomos me ato iniciativa që duhen ndryshuar për të qenë të përballueshme për kuletën e shtetit”, shtoi Ministri Hamza.
Ai bëri të ditur se sa i përket draft-buxhetit të vitit 2019, është arritur dakordim në mes të dy palëve që buxheti i vitit 2019 siguron respektimin e plotë të rregullave fiskale që mbrojnë stabilitetin makro-fiskal, duke përfshirë: mbajtjen në kontroll të bilancit në mes të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, përmes një planifikimi të kujdesshëm të bilancit buxhetor, nën kufirin e lejuar ligjor prej 2% të BPV-së, ruajtjen e likuiditetit të sektorit publik, duke planifikuar mbarëvajtjen e rezervave buxhetore (bilancit bankar) në 4.5% të BPV-së, si dhe planifikimin e shpenzimeve për paga dhe mëditje, duke mbajtur pjesëmarrjen e pagave publike në BPV konstante dhe në pajtim me rritjen e projektuar ekonomike.
Sipas, Ministrit Hamza Qeveria e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësim shumë të ngjashëm dhe pozitiv për ecuritë dhe trendët ekonomike, ku të dyja palët presim përshpejtim të rritjes reale të ekonomisë në mbi 4% gjatë vitit 2019 (diferenca jonë është vetëm 0.2% në baza nominale).
“FMN ka mirëpritur orientimin e shpenzimeve drejt sektorëve prioritar si arsimi dhe shëndetësia dhe drejtësia, por gjithashtu ka kërkuar kujdes të shtuar në kontrollin e shpenzimeve për transferet sociale. Edhe ne jemi pajtuar se kjo është një komponentë e buxhetit që do ta trajtojmë me shumë kujdes dhe maturi gjatë vitit të ardhshëm”, shtoi Ministri Hamza.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “për vitin 2019, ne jemi të vendosur që të fillojmë me një sërë reformash që ulin borxhin tatimor, përmirësojnë administrimin dhe mundësojnë konkurrencë lojale që ushqen aktivitetin e sektorit privat”.
Sipas tij, në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për një sërë reformash të reja.
“Do ta përcjellim mbledhjen e borxheve tatimore në baza të rregullta gjatë vitit. Vetëm atëherë kur do të mblidhen këto të hyra, ne do lejojmë shpenzimin e tyre. Si përfundim, më lejoni të theksoj se përfundimi i këtij misioni është vetëm fillimi i një pune të gjatë dhe të përbashkët me FMN-në për sforcimin e mëtejshëm të stabilitetit tonë makroekonomik”, shtoi Ministri Hamza.
Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë Stephanie Eble, theksoi se Kosova vazhdon të ruaj stabilitetin makro fiskal, si çelës për krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike.
“ Këtë e ka bërë duke ruajtur deficitin fiskal përderisa ka rritur shpenzimet në infrastrukturë të financuara nga fondet e likuidimit si dhe fuqizimit edhe më të madh të stabilitetit financiar” shtoi znj. Eble.
Ajo gjithashtu, theksoi se rritja ekonomike është në mesin e më të lartave në rajon e ndikuar nga investimet, konsumi si dhe eksporti i shërbimeve, të cilat gjithashtu janë mbështetur nga rritja e fuqishme e kreditimit dhe dërgesave nga diaspora. Sipas saj, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2019 vlerësohet të jetë 4.2 për qind e mbështetur në masë të madhe nga rritja e njëhershme e investimeve kapitale.
“Projektbuxheti për vitin 2019 është disenjuar të ketë një deficit prej 1.9 për qind e GDP-së që prapë është në harmoni me rregullën fiskale dhe nga pikëpamja jonë mbetet një siguruese për ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe adreson nevojat zhvillimore të vendit. Më e rëndësishmja është që ky buxhet rrit alokimet për shpenzimet prioritare në shëndetësi, arsim, gjyqësi si dhe në infrastrukturë” shtoi znj. Eble.
Shefja e misionit të FMN-së për Kosovë Stephanie Eble, tha se “përderisa të gjitha këto janë mirë, kemi edhe disa shqetësime, në mesin e të cilave është edhe skema e veteranëve të UÇK-së, rishqyrtimi i Projektligjit për Pagat si pasojë e shpenzimeve të mëdha dhe theksoi se Ligji për pagat nuk garanton pagë të barabartë për punën e njëjtë”.
“Ndërsa nismat fiskale, siç është Ligji për Pagat dhe përfitimet e lehonisë janë në shqyrtim e sipër” dhe kërkoi që të ketë një rishikim të plotë të skemave sociale, në mënyrë që nga ajo të përfitojnë të varfërit dhe jo ata që nuk kanë nevojë”.
Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, theksoi se gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar i informuam lidhur me zhvillimet dhe të dhënat e fundit të sektorit financiar në Kosovë.
Sipas tij sektori financiar, e në veçanti ai bankar në Kosovë vazhdon të jetë stabil, i cili ka vazhduar të ketë rritje dyshifrore duke qenë një nga faktorët e rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kreditë joperformuese kanë vazhduar me trendin rënës dhe sot norma e kredive joperformuese është në nivelin 2.7%, që është tregues dukshëm më i mirë krahasuar me vendet e regjionit apo edhe më gjerë”, shtoi Guvernatori Mehmeti.
Ai bëri të ditur gjithashtu se sektori financiar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe me gjendje shumë të mirë të likuiditetit.
“Normat e interesit kanë vazhduar me trendin rënës dhe krahasuar me vitet e kaluara kur norma e interesit ka qenë dyshifrore, sot ato janë më të ulëta dhe presim këto norma të vazhdojnë të bien, me qëllim të përkrahjes së vazhdueshme të bizneseve në Kosovë, e me këtë edhe zhvillimit ekonomik në vend”, shtoi Guvernatori Mehmeti.