Shkruan: ISUF SADRIU
Ku “u tret” “Rilindja”, e përditshmja shqipe
Sa për leximin e librave, mund të themi: “… t’i numërojmë në gishtërinj ata që lexojnë…”
“Rilindja”, emër simbolik dhe, real i një gazete shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët e Kosovës, atëbotë. Në natën mes 7 e 8 gushtit 1990, “Rilindja” u ndalua me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte pushtuar Kosovën.
Redaksia e kësaj të përditshmeje e kishte kundërshtuar fuqishëm edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Okupim klasik”.
Më kujtohet se gjatë kohës kur isha student në Prishtinë, daja im, Ali Shabani, që punonte në “Rilindja”, mbrëmjeve vonë, apo pas mesnatës, na e sillte “të nxehtë” në banesë, gazetën “Rilindja”.
Dhe, më besoni, nuk flinim gjumë, pa e lexuar gjithmonë rubrikën e kulturës e, shumëçka tjetër.
Sa isha në Prishtinë, rregullisht, o e blija, o na e sillte daja…, kur kthehesha në Bradash, fundjavave, shkoja me biçikletë deri në Bajçinë, apo edhe Kërpimeh, në qoshkun ku shitej, e blija, nuk rrinim dot pa të.
Me Xhemailin, vëllain tim “shtyheshim” se cili po e mbushte më shpejt fjalëkryqin e saj.
O sa gëzim kishim kur e blinim.., edhe e lexonim.
Ajo ishte gazeta më e mirë e botës shqiptare këtej Drinit, e vetmja që fliste shqip me ne.
Prej atëherë e deri sot kanë kaluar 32 vjet, qëkur kjo gazetë nuk është duke u botuar, apo u botua “pak”…, u zhduk fare shpejt…, çka po ndodh kështu me ne…?!
Njëherë e një kohë, siç thashë më lartë, kjo gazetë u ndalua nga regjimi serb, po më vonë, ç’ ndodhi, kush fshihet prapa mbylljes së saj, ku mbeti gjithë ajo makineri e ai pallat shtypi, kush e “rrëmbeu” edhe ia futi “flakën”, edhe më keq, e hoqën nga faqja e dheut armiqtë, apo “miqtë”, këtë s’po e marr vesh!?
A mund ta dijë ndokush këtë mbylljen në kohë lirie, apo mos gjithçka e saj u copëtua, siç copëton ujku, ujqërit prenë!?
A do të fillojë, sërish, botimi i saj ndonjëherë!? /2LONLINE/