Seria prej 15 ndeshjeve pa humbje e ka ngritur Kosovën në nivel dukshëm më të lartë se që ishte gjatë serisë prej nëntë humbjeve rresht.
Gjatë serisë pozitive, përfaqësuesja e Kosovës në futboll ia ka dalë të sigurojë edhe plejofin e Ligës D të Ligës së Kombeve, përkatësisht rrugën e dytë drejt kualifikimit në Evropianin e këtij viti.
Kosova më 26 mars e luan ndeshjen më të rëndësishme të saj – ndaj Maqedonisë Veriore në Shkup, në gjysmëfinale të plejofit. Nëse e fiton atë ndeshje, më 31 mars luan me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë, prapë në udhëtim, në finale të plejofit. Nëse e fiton edhe atë ndeshje, kualifikohet në “Euro 2020”.
Në ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore, Kosova futet pas një miniserie tjetër. Miniseria prej tri ndeshjeve është negative, vetëm me humbje. Por te Kosova vlerësojnë se ajo nuk do të ndikojë fare në atmosferën pozitive që është te përfaqësuesja para ndeshjes vendimtare.